1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Polonia do të investojë miliarda për "Mburojën Lindore"

28 Maj 2024

Pas më shumë se dy vitesh luftë në Ukrainën fqinjë Polonia ndihet gjithnjë e më e kërcënuar nga Rusia. Prandaj Varshava planifikon të përforcojë kufijtë me Rusinë dhe Bjellorusinë.

https://p.dw.com/p/4gLvh
Kryeministri Tusk takohet me ushtarë në Karakule
Polonia synon të investojë miliarda për "Mburojën Lindore" - Kryeministri Tusk takohet me ushtarë në Karakule Fotografi: Artur Reszko/pap/dpa/picture alliance

Programi "Mburoja Lindore" është operacioni më i madh për përforcimin e kufirit lindor të Polonisë dhe në të njëjtën kohë edhe krahun lindor të NATO-s që nga viti 1945, tha ministri i Mbrojtjes, Vadislav Kosiniak-Kamysz në Varshavë. Polonia, dëshiron të investojë miliarda për fortifikimin e kufirit të saj lindor për t'u mbrojtur nga sulmet e mundshme. Me këtë program Polonia reagon ndaj agresionit rus dhe luftës në Ukrainë, që po vazhdon prej më shumë se dy vjetësh.

Fortifikime dhe mbrotje nga sulmet me dronë

Polonia planifikon ngritjen e fortifikimeve dhe vendosjen e pengesave të llojeve të ndryshme në kufi, por edhe instalimin e sistemeve moderne për mbikëqyrjen e trafikut ajror në çdo parametër dhe në çdo lartësi, - tha ministri polak i Mbrojtjes.

Polonia merr masa fortifikuese dhe vendos pengesa në kufirin me Bjellorusinë
Polonia merr masa fortifikuese dhe vendos pengesa në kufirin me BjellorusinëFotografi: DW

Në sistemin mbrojtës një rol vendimtar do të luajnë pajisjet dhe impiantet për mbrotjen nga sulmet me dronë, sqaroi shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Polake, Vieslav Kukula.

"Ne kemi 700 kilometra kufi për të siguruar, 400 kilometra prej të cilëve janë me Bjellorusinë,” tha zëvendësministri i Mbrojtjes Cezary Tomczyk. Kufiri i Polonisë është edhe kufi i jashtëm i BE-së. Zbatimi i masave fortifikuese pritet të fillojë këtë vit.

Kufi i jashtëm i BE-së

Fortifikimi i kufirit pritet të kushtojë 2.3 miliardë euro. Polonia llogarit që për këtë projekt të marrë edhe ndihma nga BE-ja. "BE-ja duhet të shpenzojë më shumë për mbrojtjen, nëse dëshiron të mbetet zonë paqeje dhe zhvillimi”, tha ministri polak i Mbrojtjes Kosiniak-Kamysk.

Polonia planifikon edhe instalimin e sistemeve moderne për mbikëqyrjen e trafikut ajror
Polonia planifikon edhe instalimin e sistemeve moderne për mbikëqyrjen e trafikut ajrorFotografi: Ales Petrowitsch/DW

Sistemi pritet të bëhet gjithashtu pjesë e një strukture mbrojtëse rajonale që do të krijohet së bashku me vendet baltike anëtare të NATO-s, Lituaninë, Letoninë dhe Estoninë.

Polonia kufizohet me Ukrainën si dhe meBjellorusinë autoritare, e cila është aleate e Moskës. Në verilindje Polonia kufizohet gjithashtu me enklavën ruse të Kaliningradit. Për shkak të mbështetjes së saj për Ukrainën, Polonia shihet nga Kremlini si armike.