Pompeo: Duhet garantuar siguria dhe paqja e ꞔdo njeriu
29 Tetor 2020Forumi i Ballkanit kundër Antisemitizmit u zhvillua online në Tiranë, në mbrëmjen e të mërkurës, (28.10) në kushtet e pandemisë COVID-19. Ai është i pari forum i këtij lloji dhe në mënyrë simbolike Shqipëria ishte mikpritësja e tij, në nderim të rolit të saj në strehimin dhe mbrojtjen e pashembullt të hebrenjvre, të përndjekur nga nazistët në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Tanimë është njohur dhe gjithëpranuar që Shqipëria është i vetmi vend ku asnjë hebre as u vra, as nuk iu dorëzua nazistëve. "Qëllimi i Forumit është krijimi i një fronti të bashkuar në Ballkan për të punuar së bashku që antisemitizmi të zhduket nga ligjërimi dhe të mundësohet një shoqëri më e mirë dhe më tolerante për brezat e ardhshëm”, theksuan organizatoret e ForUMIT Parlamenti i Shqipërisë , Lëvizja Kundër Antisemitizmit dhe Agjencia për Hebrenjtë e Izraelit.
Rama: Çdo formë e antisemitizmit kërcënon civilizimin tonë
Kryeministri shqiptar Rama e konsideroi antisemitizmin një "kërcënim për civilizimin tonë” "Duhet të vazhdojmë dhe të luftojmë çdo formë antisemitizmi, i cili është një kërcënim për civilizimin tonë ", tha Rama. Ai konsideroi si problemin dhe kërcënimin më të madh "relativizimin në raport me atë çka u ndodhi hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, që është realisht burimi i antisemitizmit, kësaj të keqeje kaq të madhe, nëse nuk do jemi të bashkuar që ta shterojmë”
Sekretari Amerikan i Shtetit, i ftuari kryesor në këtë forum vlerësoi rolin e Shqipërisë në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore "Është me vend që ky forum të zhvillohet në Shqipëri, një mike e madhe e Shteteve të Bashkuara,” theksoi sekretari amerikan i shtetitt, Mike Pompeo. Ai bëri thirrje që të gjithë "të ngrejnë zërin kundër antisemitizmit, ne kemi përgjegjësinë për t'i shkatërruar përpjekjet antisemitiste”. "Detyra për të luftuar antisemitizmin është urgjente, veçanërisht pasi kemi vënë re një rritje shqetësuese gjatë pandemisë.” vuri në dukje, Mike Pompeo.
Sassoli: Historia mund të përsëritet
Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli e cilësoi në forum "një të vërtetë të turpshme dhe të trishtuar që në vitin 2020, 74 vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, mjaft hebrenj në Europë nuk mund të jetojnë të lirë dhe të pashqetësuar.
"Kjo tregon se kurrë nuk duhet të pushojmë, kurrë nuk duhet të ndalojmë, kurrë nuk duhet t'i lejojmë vetes të mendojmë se historia që ndodhi mbi 75 vjet më parë nuk mund të përsëritet” theksoi David Sassoli.
Koordinatorja e Komisionit Europian për luftën kundër Antisemitizmit, Katerina Von Schnurbein, tha se "duhet të luftohet përditë ndaj diskriminimit të hebrenjve. Duhet që të ndryshojmë situatën. Të luftojmë fjalimet urryese në internet.” Në prag të zhvillimit të këtij Forumi, Shqipëria miratoi unanimisht një rezolutë për përkufizimin e përdorshëm për antisemitizimin, të përcaktuar nga Aleanca Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit, (IHRA), duke u bërë vendi i dytë në Ballkan, pas Kosovës që e miraton atë. "Antisemitizmi është një perceptim i caktuar për hebrenjtë, i cili mund të shprehet si urrejtje ndaj hebrenjve. Manifestimet retorike dhe fizike të antisemitizmit drejtohen ndaj individëve hebrenj ose jo hebrenj dhe/ose ndaj pronës se tyre, ndaj institucioneve dhe objekteve fetare të komunitetit hebraik” përcaktohet në përkufizim. Në Forumin e parë të Ballkanit për antisemitizmin morën pjesë kryetarët e parlamenteve të Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Izraelit si edhe autoritete nga Izraeli dhe SHBA.