1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëArgjentinë

Populisti Javier Milei është presidenti i ri i Argjentinës

20 Nëntor 2023

Pas fitores së anarko-kapitalistit në balotazhin e zgjedhjeve, Argjentina tani përballet me një eksperiment me një rezultat të pasigurt.

https://p.dw.com/p/4ZAYB
Javier Milei
Javier MileiFotografi: Luis Robayo/AFP/Getty Images

Në fund, as Taylor Swift nuk mundi ta pengonte fitoren e tij. Ylli amerikan i popit së fundmi performoi tre herë në Buenos Aires dhe fansat e saj argjentinas nisën një fushatë të madhe nën moton "Swifties nuk votojnë për Milei". Ndjekësit e rinj, veçanërisht femra, përsëritën vazhdimisht në mediat sociale se si Swift u pozicionua kundër Donald Trump me deklaratën - "Ne duhet të jemi në anën e duhur të historisë".

Tani ish-presidenti e ndoshta presidenti i ardhshëm i SHBA-së Trump, ishte një nga të parët që uroi Javier Milei-n pas fitores së tij kundër Sergio Massa në balotazhin presidencial: "Jam shumë krenar për ju. Ju do ta ktheni vendin tuaj dhe do ta bëni vërtet Argjentinën të madhe përsëri!"

Por 53-vjeçari i vetëshpallur anarko-kapitalist nuk dëshiron të mjaftohet vetëm me një tronditje. "El loco”, "I çmenduri”, pseudonimi i tij nga rinia, mbërrin me një sharrë elektrike, të cilën e përdori për një kohë të gjatë në fushatën e tij zgjedhore si simbol për të ndihmuar vendin, i cili ekonomikisht është rrënuar me inflacion më shumë se 140 për qind dhe duke u futur 44 miliardëdollarëborxh tek Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Milei dëshiron të prezantojë dollarin amerikan si mjet pagese në vend të pesos argjentinase, të cilën ai e përshkroi si "jashtëqitje të klasës politike". Ai dëshiron të shfuqizojë bankën qendrore. Ai dëshiron të shkurtojë organet e shtetit, një "organizatë kriminale" në sytë e tij, në minimum me vetëm tetë ministri në vend të 18 sa ka tani dhe dëshiron të shkurtojë rrënjësisht shpenzimet publike.

Argjentinasit janë të lodhur nga kriza ekonomike

Javier Milei dhe politika monetare
Javier Milei dhe politika monetareFotografi: Rodrigo Abd/AP Photo/picture alliance

I huaji politik, të cilin pothuajse askush në Argjentinë nuk e njihte deri dy vjet më parë, fitoi në 23 nga 26 provincat kundër ministrit aktual të ekonomisë Sergio Massa. Një fitore bindëse. Fakti që ai ishte tërësisht inferior ndaj Massa në duelin televiziv parazgjedhor nuk kishte kurfarë rëndësie. Përkundrazi, ai inkurajoi shumë nga votuesit e tij që të votojnë kundër pushtetit të deritanishëm.

Zemërimi kundër partisë Peroniste në pushtet, e cila sundoi 16 nga 20 vitet e fundit dhe nuk ishte në gjendje të ndalonte rënien ekonomike, ishte shumë i madh. Milei vazhdimisht kritikoi "ata në krye" dhe "establishmentin" që bie në sy për skandalet korruptive. Dëshpërimi është shumë i madh në një vend që ishte një nga dhjetë vendet më të pasura në botë pas Luftës së Dytë Botërore, ndërsa tani 40 për qind e popullsisë jeton në varfëri.

Zgjedhjet e balotazhit ishin mbi të gjitha një proteste e bazuar në moton: "Gjithsesi nuk mund të bëhet më keq”. Sidomos mes votuesve të rinj meshkuj që nuk dinë asgjë tjetër veç krizës.

Ngjashëm me Jair Bolsonaro në Brazil, ai u mbështet me sukses në një fushatë në mediat sociale, të orkestruar nga motra e tij Karina, e cila shiste ëmbëlsira në Instagram dy vjet më parë. Argjentina është një vend i polarizuar maksimalisht, që e bashkon vetëm Lionel Messi dhekombëtarja argjentinase e futbollit.

Milei dhe diktatura ushtarake

Massa humbi zgjedhjet
Massa humbi zgjedhjetFotografi: Nicolas Aguilera/AFP/Getty Images

Ndarja mund të thellohet, sepse Milei planifikon ta kthejë situatën socio-politike të Argjentinës me dekada prapa. Milei bën thirrje për një ndalim të rreptë të abortit, e konsideron ndryshimin e klimës si një "gënjeshtër socialiste", e ai foli madje edhe për aksesin e lirë në armë zjarri, të cilin e tërhoqi vetëm pak para balotazhit të zgjedhjeve. Presidenti i ardhshëm i Argjentinës dyshon në saktësinë e numrit prej 30 mijë personave të zhdukur gjatë diktaturës ushtarake argjentinase.

Kandidatja e tij për nënpresidente Victoria Villaruel flet vazhdimisht për vetëm 8751 viktima. E në teorinë e saj të "dy djajve", ajo vë në dukje se kishte edhe viktima të shumta për shkak të terrorizmit nga e majta.

Reagimet në vendet e Amerikës së Jugut ndaj fitores së Mileit janë një tregues se Argjentina mund të izolohet edhe në aspektin e politikës së jashtme. Presidenti brazilian Lula, të cilin Milei e kishte fyer si komunist gjatë fushatës elektorale, e uroi Argjentinën për zgjedhjet por pa përmendur emrin e fituesit. Presidenti i krahut të majtë të Kolumbisë, Gustavo Petro, e përshkroi fitoren e "të djathtës ekstreme" në Argjentinë si "të trishtueshme për Amerikën Latine".

Shqetësim jo vetëm në Amerikën e Jugut

Sergio Massa dhe Javier Milei
Sergio Massa dhe Javier MileiFotografi: JUAN MABROMATA/LUIS ROBAYO/AFP

Aleanca ekonomike e Amerikës së Jugut Mercosur, e cila përfshin Argjentinën dhe Brazilin, si dhe Paraguajin dhe Uruguain, mund të kufizohetpas zgjedhjes së Mileit, sepse presidenti i ri ka bërë të ditur se Argjentina do të "ndjekë rrugën e saj". Ndaj edhe Gjermania dhe veçanërisht BE-ja do t'i ndjekin me shumë vëmendje zhvilimet e ardhshme në Argjentinë. Marrëveshja e tregtisë së lirë midis Mercosur dhe Bashkimit Evropian, e planifikuar prej dekadash, do të vështirësohet pas zgjedhje së Milei.

Njeriu që e quajti madje edhe Papën si një "majtist të keq", për t'i kërkuar më vonë falje bashkatdhetarit të tij në Romë, do të përballet me një sërë pengesash politike për agjendën e tij radikale. Banka qendrore thjesht nuk ka dollarë amerikanë për futjen e kësaj monedhe në përdorim. E sindikatat tradicionalisht të forta në këtë vend do t'i përgjigjen planeve të kursimit me greva javore. Ndërkohë që presidenti i ri ka më pak se 20 për qind mbështetës në dhomën e deputetëve dhe pak më shumë se dhjetë për qind në mesin e senatorëve. Asnjë president argjentinas nuk ka pasur ndonjëherë kaq pak mbështetje në Dhomën e Deputetëve të Argjentinës që nga viti 1983, që e komplikon edhe më shumë pozitën e tij.

Ndaj që tani është shumë e diskutueshme se si do të hyjë Javier Milei në historinë e Argjentinës. "A e dini se cili është ndryshimi midis një gjeniu dhe një të çmenduri?” tha ai së fundmi. Përgjigja e tij ishte: "Suksesi”.

 

Një burrë i gjatë i hollë me flokë verdha dhe këmishë të zezë duke parë serioz në drejtim të kamerës
Oliver Pieper gazetar për politikën dhe shoqërinë gjermane, si dhe për çështjet e Amerikës së Jugut.