Premtime për nënshtetësi greke për fëmijët e imigrantëve të lindur në Greqi
14 Shtator 2009Imigrantët ishin padyshim nga teleshikuesit më të interesuar të konferencës për shtyp të kreut të socialistëve greke Jorgos Papandreu në Selanik, ku shpalli edhe programin e partisë së tij, që nga një pjesë e shtypit u cilësua si “recetë Obama” për Greqinë. Një prononcim edhe për ata kësaj radhe do të kishte rëndësinë e tij të veçantë pasi Papandreu dhe partia e tij, PASOK-u, sipas të gjitha anketimeve do të jenë fituesit e zgjedhjeve të katër tetorit, bile edhe me shumicë absolute.
I pyetur nëse do t'i jap fund diskriminimit racist duke u ofruar nënshtetësinë greke fëmijëve të imigrantëve të lindur në Greqi, Papandreu ishte i qartë. “Fëmijë që lindin dhe rriten në Greqi, nuk kanë atdhe tjetër dhe ndjehen grekë, pavarësisht nga origjina e tyre duhet të kenë të drejtën të marrin nënshtetësinë greke,” u përgjigj Papandreu, i cili theksoi edhe një herë nevojën e integrimit të imigracionit në kulturën greke, në Greqi, në shoqërinë greke,” sikurse tha shprehimisht. Edhe një herë kreu i socialistëve grekë përmendi shembullin e tij personal -që fati e deshi në një periudhë të jetës së tij të endet edhe ai si imigrant në vende të tjera- si një tjetër argument i politikës dhe vizionit të tij mbi imigracionin dhe të ardhmen e tij: “Edhe unë kam qenë imigrant edhe e di se çdo të thotë një shoqëri e së drejtës dhe si e trajton imigrantin,” tha Papandreu si një tjetër shembull i ndryshimit të premtuar për vendin.
Rreth 250 000 fëmijë të imigrantëve të lindur në Greqi -shumica e tyre shqiptarë- mbeten të paregjistruar dhe pa asnjë dokument të ligjshëm qëndrimi. Ky “paradoks”, siç përcillet ndryshe, që kompomenton edhe imazhin evropian të Greqisë, ka bërë që socialistët në programin e tyre të premtojnë nënshtetësinë greke jo vetëm për fëmijët e lindur në Greqi por, edhe për ata fëmijë që kanë ardhur së bashku me prindërit e tyre dhe kanë bërë të paktën 3 vjet shkollë në vend.
“Duam që fëmijët të jenë të integruar dhe të lumtur në vendin ku lindën dhe jetojnë. Është rruga më e mirë për paqen sociale të të gjithëve,” i thotë Deutsche Welles Marilena Kopa, eurodeputete dhe një nga kuadrot më në zë të PASOK-ut.
Papandreu e di se në këtë çështje nuk ka konsensusin e të gjithë shoqërisë greke. Nacionalistët e Alarmit Ortodoks Popullor por edhe një pjesë e opinionit konservator nuk duan të dëgjojnë për një rregullim të tillë. E akuzojnë se tjetërson popullsinë e vendit. 61 përqind e grekëve, sipas Eurobarometrit të fundit, i shikon negativisht imigrantët. Me imigrantët pa të drejtë vote, Papandreu me këtë pozicionim të tij deshi të kalojë mesazhin se “bën politikë dhe jo pazar votash”.
Autor : Niko Anagnosti
Redaktoi : Aida Cama