1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania duhet të jetë më e vetëdijshme për përgjegjësinë ndërkombëtare

vfb/av (dpa, epd, afp, rtr)3 Tetor 2013

Gjermania sipas presidentit Gauck duhet të jetë më e vetëdijshme për përgjegjësinë e saj në nivel ndërkombëtar. "Vendi ynë nuk është ishull", tha ai në fjalimin e mbajtur në ceremoninë qendrore me rastin e 3 Tetorit.

https://p.dw.com/p/19tOi
Fotografi: picture-alliance/dpa

"Ne duhet të mos jepemi pas iluzionit, se mund të mbetemi të paprekur prej konflikteve politike, ekonomike, ekologjike dhe ushtarake, në rast se ne nuk marrim pjesë në zgjidhjen e tyre", theksoi presidenti i Gjermanisë Joachim Gacuk në ceremoninë qendrore festive organizuar në Shtutgart në prani edhe të kancelares Angela Merkel dhe të shumë politikanëve të tjerë drejtues në nivel federate dhe landesh.

Presidenti Gauck nënvizoi më tej, se nuk do të përfytyrojë "që Gjermania të tregohet e fortë për të komanduar të tjerët" duke shtuar, "por unë as nuk dua të përfytyroj, që Gjermania të tulatet për t'iu shmangur rreziqeve dhe solidaritetit."

Dita e bashkimit: unikë së bashku

Një ndër pikat e forta të Gjermanisë është që ajo i ka bërë miq të gjithë vendet fqinjë dhe vetë është bërë një partnere e besueshme në aleancat ndërkombëtare, deklaroi presidenti. "Ndaj është e drejtë, që kur të tjerë, po ashtu si edhe ne, pyesin: A i percepton Gjermania sa duhet përgjegjësitë e veta kundrejt fqinjëve në Lindje, në Lindjen e Mesme dhe në rajonin jugor të Mesdheut? Çfarë kontributi jep Gjermania për t'i bërë për vete si partnerë të rendit ndërkombëtar vendet në ekspansion?

Duke iu referuar Europës Gauck tha se pamja e kontinetit ka ndryshuar: "Pa dyshim që Europa nuk është më Europa e para krizës. Krisjet janë bërë të dukshme", formuloi presidenti. Forcat dhe mazhorancat janë zhvendosur. Qeveritë kombëtare janë ato që në thelb e përcaktojnë agjendën. Megjithatë bashkimi nuk është në rrezik. "Një fill i fuqishëm i përbërë nga mentaliteti, kultura dhe historia e mban Europën të bashkuar", nënvizoi Gauck.

Tag der deutschen Einheit 2013 Stuttgart Gauck Rede
Presidenti Joachim Gauck duke mbajtur fjalimin në ShtutgartFotografi: picture-alliance/dpa

I lindur në Rostok Joachim Gauck kujtoi në fjalimin e tij mposhtjen e pafuqisë në ish-RDGJ (Republika Demokratike e Gjermanisë)dhe vullnetin e gjermano-lindorëve për lirinë: "Vullneti i të shtypurve për liri shfuqizoi shtypësit." Për mua ribashkimi dhe rruga drejt tij ka qenë "koha më fatlume", tha ish-mbrojtësi i të drejtave të njeriut në RDGJ.

Ceremonia qendrore festive si dhe një festë qytetare me rastin e ditës së bashkimit të Gjermanisë çdo vit kremtohet në landin që ka kryesimin radhës në Këshillin Federal (Bundesrat ). Sivjet ky land është Baden-Vyrtembergu. Festa qytetare zhvillohet në kryeqytetin e landit Shtutgart nën moton: "Unikë së bashku". Në aktivitetet dyditore festive pritet të marrin pjesë rreth 400.000 vetë.

Pas revolucionit paqësor në RDGJ dhe mposhtjes së sundimit komunist parlamenti i parë i zgjedhur në mënyrë të lirë në RDGJ më 3 tetor 1990 shpalli përfshirjen e vendit në Republikën Federale të Gjermanisë. Qysh atëherë 3 Tetori është shpallur ditë feste kombëtare.