Prishtinë: Takohet grupi negociator
29 Tetor 2007Brenda grupit negociator të Kosovës është duke u fuqizuar bindja se Kosova duhet të shpallë njëanshëm pavarësinë menjëherë pasi treshja ndërmjetësuese e grupit të kontaktit në bisedimet shtesë Prishtinë Beograd të përfundojë misionin me 10 dhjetor.
Deri në këtë kohë pala kosovare do të vazhdojë të jetë pjesë e negociatave për zgjidhjen e statusit, duke pranuar të diskutojë çdo ide të hedhur në tavolinë, por ajo nuk do të pranojë asgjë më pak se pavarësinë e Kosovës. Këtë qëndrim e shprehen në një takim anëtarët e grupit negociator të Kosovës të bindur se edhe në radhët e komunitetit ndërkombëtar dita ditës po fuqizohet ideja se Kosova duhet të shpallë pavarësinë.
Bisedime të reja
Për palën kosovare dokumenti 14 pikësh i propozuar nga treshja e grupit të kontaktit në takimin e fundit Prishtinë-Beograd është vetëm një dokument pune, që nuk e cënon pakon e statusit të
ndërmjetësit, Marti Ahtisari. Pala kosovare ka pasur vërejtje për dokumentin 14 pikësh të treshes ndërmjetësuese.
Në datën 5 nëntor delegacioni i Kosovës dhe ai i Serbisë do të takohen serish nën ndërmjetësimin e treshës së grupit të kontaktit. Këta të fundit kanë thënë se më datën 10 dhjetor do ta kenë të kompletuar raportin mbi rrjedhën e bisedimeve katër muajshe Prishtinë-Beograd. Në raport ata do të kenë edhe një propozim për statuin final të Kosovës gjithnjë pa anashkaluar planin e Marti Ahtisarit.