Prishtina dhe Beogradi "nuk tunden nga istikami"
21 Nëntor 2007Serbia nuk heq dorë nga sovraniteti mbi Kosovën
Presidenti serb Boris Tadiç theksoi se: „Serbia ka deklaruar se nuk ka hequr dhe nuk do të heqë dorë nga sovraniteti mbi Kosovën e Metohinë dhe nuk pranon dezintegrimin e vendit të vet“. Tadiç tha se delegacioni i Beogradit ka shprehur vullnetin më të mirë për zgjidhjen e problemeve të njerëzve në Kosovë. Ne jemi të gatshëm për pjesëmarrje në bisedime deri në gjetjen e një zgjidhje për Kosovën, por: "Kjo zgjidhje duhet të jetë e pranueshme për të dyja palët, duhet të përjashtojë unilaeralizmin dhe shpalljen e njëanshme të pavarsisë, duhet të përjashtojë dhunën dhe të mundësojë realizimin e interesave të të gjithë njerëzve që jetojnë në Serbi, që do të thotë edhe në Kosovë,“ tha Tadiç.
Qëndrimet shqiptare dhe amerikane të njëjta
Me fjalë të ngjashme u shpreh edhe kryeministri i Serbisë Vojisllav Koshtunica i cili tha, se në qëndrimet e delegacionit kosovar dhe përfaqësuesit amerikan në trojkën ndërkombëtare Frank Vizner, nuk kishte shumë dallime. Ata kanë kërkuar që të bisedohet për raportet mes Serbisë dhe Kosovës. Ndërsa sa i përket propozimeve serbe, Koshtunica dhe Tadic nënvizuan se: „Më duhet të konstatoj se pala shqiptare as kësaj radhe nuk kishte dëshirë të bisedojë për statusin, por për çështjet pas statusit. Për raportet mes dy shteteve të pavarura.“
Përparime nuk pati
Pikërisht kjo ishte edhe esenca e propozimit të delegacionit kosovar, i cili në konferencën për shtyp dërgoi vetëm zëdhënësin e grupit të Unitetit, Skender Hysenin. Që në fillim ai tha se "për fat të keq nuk mund të raportoj për ndonjë përparim". Sa i përket propozimeve serbe për zgjidhjen e statusit të Kosovës sipas modeleve të ndryshme të autonomisë në botë, zëdhënësi i Grupit të Unitetit tha se Kosova është një rast unik dhe se edhe zgjidhja duhet të jetë e tillë. Kosova ka ofruar raporte të mira fqinjësore e madje edhe miqësi me Serbinë, ndonëse nuk e ka aspak të lehtë.
Delegacioni kosovar flet për periudhën pas pavarësisë
Një prej temave të trajtuara në të gjitha takimet e delegacionit kosovar me përfaqësuesit ndërkombëtarë ishte mundësia e shpalljes së pavarisë së Kosovës, pas datës 10 dhjetor. Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar që ky hap të mos ndërmerret. Rasti i radhës dhe i fundit, për afrimin e qëndrimeve dhe gjetjen e një zgjidhje kompromisi, do të ofrohet më 26 deri me 28 nëntor, kur delegacionet të takohen sërish në afërsi të Vjenës. Trojka ndërkombëtare kumtoi se mandati i tyre përfundon me 10 dhjetor, kur Grupi i Kontaktit do të duhet t’i paraqesë raportin Sekretarit të Përgjithshëm të OKB, Ban Ki Mun.