1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Prishtina: EULEX të funksionojë në bazë të kushtetutës së Kosovës

Bekim Shehu22 Tetor 2008

Kërkesa e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Mun drejtuar Havier Solanës që misioni EULEX të jetë neutral në lidhje më statusin e Kosovës është kundërshtuar nga Prishtina zyrtare

https://p.dw.com/p/FeiL
Ban Ki MunFotografi: AP


Udhëheqësit politikë kosovarë, thonë se misioni EULEX duhet të funksionjë në bazë të Kushtetutës së Kosovës. Analistët nga ana e tyre, thonë se kërkesa e Ban ki Mun, tregon qartë dallimet konceptuale, që kanë OKB-ja dhe BE-ja në lidhje me statusin e Kosovës. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban ki Mun, ka kërkuar nga shefi i diplomacisë evropiane Havier Solana, që misioni EULEX të jetë neutral në lidhje me statusin e Kosovës. Sipas një letre që Ban Ki Moon i ka dërguar zotit Solana, thuhet se EULEX-i mund të vendoset në Kosovë vetëm duke iu përmbajtur neutralitetit të statusit të Kosovës. Neutraliteti i EULEX-it thotë Ban ki Mun, shihet si imperativ, nëse synohet që EULEX-i të jetë funksional në Kosovë. Mirëpo udhëheqësit politik kosovar dhe analistët thonë se misioni i ri i BE-së duhet të funksionojë në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe jo të ketë një status neutral për faktin që për këtë nuk ka mandat. Udhëheqësit politikë rikujtojnë se kuvendi i Kosovës edhe në deklaratën e pavarësisë mirëpret misionin evropian, i cili ka për detyrë vetëm mbikqyrjen e zbatimit të pakos së Marti Ahtisarit, e cila Kosovën e përcakton shtet të pavarur.

"Ne do ta zbatojmë pakon e Ahtisaarit. EULEX-i është një strukturë e përbërë nga vendet e BE-së dhe prezencës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sepse kjo ka qenë ide dhe kërkesë edhe e jona dhe mendojmë se e gjithë veprimtaria e këtij misioni duhet të përputhet me pakon e Ahtisaarit. Mandat tjetër nuk ka", thotë presidenti Sejdiu.

Ndërkohë analisti i pavarur Driton Lajqi thotë kërkesa e Kombeve të Bashkuara që EULEX të jetë neutral në lidhje më statusin e Kosovës tregon qartë dallimet konceptuale, qe kanë kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian në lidhje me statusin e Kosovës.

"Unë këtë e shoh edhe si një mungesë të gatishmërisë së Kombeve të Bashkuara që ta pranojnë realitetin e ri të krijuar në Kosovë dhe në anën tjetër mungëse të gatishmërisë për t´u përballur me strukturat paralele serbe në Kosovë dhe qeverinë e Beogradit", thotë Driton Lajqi.

Administrata e Kombeve të Bashkuara po përpiqet të gjejë forma për shtrirjen e misionit EULEX në të gjitha rajonet e Kosovës, mirëpo e ka të vështirë, sepse në vendbanimet serbe misioni EULEX nuk pranohet. Udhëheqësit politikë kosovarë vazhdimisht përsërisin se misioni EULEX nuk duhet të jetë zëvëndësues i UNMIK-ut, por duhet të ndihmojë institucionet e Kosovës ne vendosjen e rendit dhe ligjit në të gjitha rajonet e Kosovës përfshirë edhe vendbanimet serbe. Ata thonë se përzierja e pushteteve në Kosovë e bënë vendin jofunksional.