1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Prishtina kërkon që EULEX të largojë strukturat serbe

Bekim Shehu / Prishtinë 28 Nëntor 2008

Udhëheqësit kryesorë politik në Kosovë, kërkojnë nga vendet anëtare të BE-së, që të sigurojnë që misioni evropian EULEX të shtrihet në të gjitha rajonet e Kosovës me prioritet Veriun e Kosovës, të dominuar nga serbët.

https://p.dw.com/p/G5Mv
Shefi i EULEX, Yves de Kermabon takon një polic
Shefi i EULEX, Yves de Kermabon takon një policFotografi: AP

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi, e kanë quajtur lajm të mirë vendosjen e misionit EULEX në Kosovë, kurse gjashtë pikat e planit të OKB-së vazhdojnë të jenë të papranueshme për ta. Ata thonë se e rëndësishme është që në deklaratën presidenciale të KS-it nuk përmenden gjashtë pikat e planit të zotit Ban Ki Mun, por vetëm i jepet mbështetje vendosjes së misionit EULEX, edhe pse ai do të funksionojë në bazë të rezolutës 1244 e jo në bazë të Kushtetutës së Kosovës, siç kërkonte Prishtina. Presidenti Fatmir Sejdiu: "Duhet ta dini se bërthama e misionit EULEX është pakoja e Marti Ahtisarit. Kini arasysh se është shumë e rëndësishme shuarja e strukturave paralele serbe, të cilat kanë bërë krime në Kosovë dhe tash po bëjnë edhe krim ekonomik në veri të Kosovës", thotë presidenti Sejdiu.

Hashim Thaçi dhe Fatmir Sejdiu
Hashim Thaçi dhe Fatmir SejdiuFotografi: picture-alliance/ dpa

Në të njejtën linjë shprehet edhe kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, i cili thotë se misioni EULEX duhet të shtrihet edhe në vendbanimet serbe dhe sipas tij kjo mund të cilësohet fitore për Kosovën. "Mbështetje dhe bashkëpunim të plotë EULEX-it, ndërsa një JO të madhe dhe dymilionëshe gjashtë pikave të planit të zotit Ban Ki Mun. Sovraniteti i Kosovës nuk do të lejohet të cënohet në asnjë mënyrë dhe për asnjë centimetër", thotë kryeministri Thaci.


Dy udhëheqësve kryesorë të vendit presidentit dhe kryministrit, sot ju dorëzua edhe zyrtarisht deklarata e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat mbështesin konkluzionet e dala nga mbledhjen e Këshillit të Sigurimit për Kosovën dhe i japin mbështetje vendosjes së misionit EULEX në fillim të dhjetorit. Me dy dhjetor, në ditën kur është paraparë që misioni të fillojë punën, një rrjet e organizatave joqeveritare kanë planifikuar të zhvillojnë një protestë me kërkesën që misioni EULEX të funksionojë në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe jo që misioni të ketë qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës, ashtu siç pajtohet Beogradi dhe OKB-ja.