1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Prishtina: Nuk ka rifillim të negociatave

Bekim Shehu20 Prill 2007

Autoritetet kosovare janë shprehur sot, se negociatat me Serbinë për zgjidhjen e statusit të Kosovës kanë përfunduar. Në radhët e komunitetit ndërkombëtar nuk ekziston vullneti për rifillimin e tyre.

https://p.dw.com/p/ArWL
Agim Çeku
Agim ÇekuFotografi: dpa-Bildfunk

Udhëheqësit politik kosovarë hedhin poshtë mundësinë e rifillimit të negociatave për statusin e Kosovës, pas vizitës që do t'i bëjë Kosovës dhe Serbisë misioni faktmbledhës i përbërë nga ambassadorë të KS-it. Ata thonë se përveç Rusisë dhe Serbisë askush nga radhët e komunitetit ndërkombëtar nuk e dëshiron një gjë të tillë.

Këtë qëndrim e shprehu kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, pas një takimi që zhvilloi me shefin e UNMIK-ut, Joakim Rycker, ku temë bisedash ishte vizita që do t'i bëjnë Kosovës në fund të javës së ardhshme ambasadorët e KS-it.

Delegacioni i KS-it, i cili do të vijë në Kosovë, për shefin e UNMIK-ut, Joakim Rycker, nuk është një mision faktmbledhës, por ai më shumë dëshiron ta quaj një mision për mbledhjen e informacioneve.

"Unë do të hezitoja që këtë delegacion ta quaja një mision faktmbledhës sepse sipas pikëpamjes sime kjo është një vizitë me qëllim të mbledhjes së informacioneve", thotë Joakim Rycker.

Megjithatë për autoritetet kosovare negociatat me Serbinë për zgjidhjen e statusit të Kosovës tashmë kanë përfunduar, ndërsa, planin e ndërmjetësit, Marti Ahtisari ata e cilësojnë si bazën e vetme për krijimin e shtetit të Kosovës. Ndërsa, vizitën në Kosovë të ambasadorëve të KS-it, e shohin në funksion të përshpejtimit të procesit të zgjidhjes së statusit. Kjo sipas tyre do të finalizohet në fund të muajit maj me nxjerrjen e një rezolute të re për Kosovën në KS-it.