Prishtina, qytet që kërkon frymëmarrje
13 Nëntor 2009Prishtina shtrihet në pjesën veriperëndimore të vendit dhe ka një sipërfaqe prej 572 kilometra katrorë. Komuna e Prishtinës ka gjithsej 48 fshatra. Në këtë qytet jetojnë rreth 470 mijë banorë. Sot kryeqyteti i Kosovës ballafaqohet me shumë probleme. Zgjedhjet e 15 nëntorit janë një shans për të ofruar një vizion të ri pë të ardhmen e qytetit.
Premtime për një vizion të ri të Prishtinës
"Hapësirë gjelbëruese me 93 mijë metra katrorë, çdo lagje do ta ketë parkun e vet. Kemi ndërtuar 18 shkolla të reja dhe nga viti 2010 shkollat do të jenë me dy ndërrime dhe me kushte moderne, shërbime efikase për qytetarët: Pra kështu po ndërtojmë Prishtinën, vizionin e saj për të ardhmen" .
Eshtë ky spoti televiziv i kryetarit aktual të komunës së Prishtinës Isa Mustafa dhe njëkohësisht kandidat i LDK-së në zgjedhjet komunale të 15 nëntorit për një mandat të dytë të tij. Vitet e fundit janë ndërtuar mbi 170 rrugë të ndryshme në qytet dhe në zonat rurale. Janë ndërtuar 18 shkolla të reja dhe shumë anekse.Në komunën e Prishtinës janë të regjistruara mbi 9 mijë biznese.
Qysh në shikim të parë të bie në sy se Prishtina ballafaqohet sot me probleme të mëdha: me kaosin urbanistik, me mungesën e hapësirave të gjelbëruara, me mungesën e ambienteve shkollore, me mungesën e trotuareve, me mungesën e ndriçimive, me mungesën e pastërtisë. Kjo gjendje është mjaft e prekshme për qytetarët e kryeqytetit.
'Prishtina: popullim i dendur dhe ndërtime pa plan'
Shkrimtari Ramiz Kelmendi, 80 vjeçar, banon në Prishtinë prej 60 vjetësh. Ai shprehet i shqetësuar nga popullimi i dendur dhe nga ndërtimet pa plan. Na e kanë bërë qytetin xhungël, thotë ai:
"Nuk e di a ka ndonjë qytet tjetër në botë, që ka një ngarkesë të tillë me trafik, i parregulluar. Ka ndërtime në Prishtinë, për mendimin tim të egra, pa ndonjë plan urbanistik.
Prishtina është bërë një xhungël për nga ndërtimet. Pallate të mëdha, por s'ka asnjë rregull. Unë jam i pakënaqur edhe me politikën e Prishtinës, sepse nuk kemi pasur kurrë papunësi kaq të madhe, kurrë s'kemi pasur varfëri kaq të madhe. Veçanërisht në këtë kohë kemi një korrupsion të madh në Prishtinë."
Prishtina vuan nga papunësia, një plagë kjo nga e cila vuan e gjithë Kosova. Kosova shënon nivelin më të lartë të papunësisë në Evropë, me 45 përqind të fuqisë së aftë për punë.
Si mund të zgjidhet problemi i papunësisë?
Astrit Salihu, kandidat për kryetar komune nga PDK-ja thotë se hapja e vendeve të reja të punës nuk i takon menaxhimit të qytetit, të komunës, por qyteti vetë mund të ofrojë perspektiva.
"Me një orientim të zhvillimit, të koncentrimit të biznesit të madh që ka Prishtina mund të hapen vende të reja pune.
Ne mund të rrisim buxhetin e komunës dhe rritja e këtij buxheti do të jetë në shërbim të ngritjes së kualitetit të jetës së qytetarëve dhe kjo paralelisht edhe me kyçjen e njerëzve në vende të reja pune. Sepse çdo investim nënkupton edhe punësim".
Premtime të njëjta për punësimin e të rinjve jep edhe Isa Mustafa.
Kryeqyteti kërkon gjelbërim dhe parqe
Por papunësia nuk është problemi i vetëm. Prishtinës i mungon frymëmarrja. I mungojnë pemët, lulishtet shëtitoret. Ambienti është mjaft i ndotur.
" Tani nuk ka asnjë metër gjelbërim. Ka pasur më parë një lulishte, një park gjelbërimi. Sot ajo është për gjynah. Po ta shohësh, nuk e frekuenton askush atë. Nuk ka asnjë përkujdesje për ta zbukuruar qytetin. Gjelbërimi është shpirti i një qyteti. Prishtina është në agoni, për nga ndërtimet, për nga pastërtia, për nga trafiku", thotë shkrimtari Ramiz Kelmendi.
Standardet europiane që kërkohen, dhe për të cilat kërkon t'i arrijë komuna e Prishtinës, nuk janë vetëm në ambient dhe në gjelbërim, por edhe në urbanizëm, në kriteret elementare dhe funksionet vitale të një qyteti që duhet t'i plotësojë.
Autor: Mimoza Cika-Kelmendi
Redaktoi. Auron Dodi