1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Prishtina të mos ndërmarrë hapa të njëanshëm

Anila Shuka21 Qershor 2007

Parlamenti gjerman (Bundestag) miratoi zgjatjen e mandatit të kontigjentit gjerman të KFOR-it edhe për një vit.

https://p.dw.com/p/AzFf
Seancë plenare në Bundestag
Seancë plenare në BundestagFotografi: AP

"Është një vendim shumë i rëndësishëm për njerëzit në Kosovë dhe të gjithë rajonin dhe është një shenjë e rëndësishme për ushtarët tanë, të cilët në këtë fazë të vështirë po e kryejnë shkëlqyeshëm detyrën", - me këtë argument, ministri i shtetit pranë Zyrës së Jashtme Gjermane, socialdemokrati Gernot Erler, i kërkoi Bundestagut që të miratojë zgjatjen e mandatit të ushtarëve edhe për 12 muaj.

Liberaët, partia më e madhe opozitare, e pranuan këtë kërkesë, por shtuan se nga qeveria gjermane presin një pozicionim të qartë "se nuk do ta mbështesë pavarësinë e pakushtëzuar të Kosovës, në se ajo shpallet në mënyrë të njanshme". Rainer Stinner, deputet i kësaj partie dhe ekspert për Ballkanin kërkoi gjithashtu, që qeveria të sqaronte se si duhet të reagojnë ushtarët, në rast se ndodh një gjë e tillë: "Të arrestojë qeverinë e Kosovës apo ndoshta edhe ambasadorin amerikan?"

Kryetari i Komisionit të jashtëm të parlamentit, Ruprecht Polenz, kërkoi zgjidhjen e statusit si domosdoshmëri për përmirësimin e standardeve. Deputeti kristiandemokrat theksoi gjithashtu, se Bundestagu duhet ta thotë qartë, se "rruga për ndryshimin e statusit të Kosovës duhet të kalojë nga Këshilli i Sigurimit". Polenz i bëri thirrje Prishtinës të mos ndërmarrë hapa të njëanshme.

Monika Knoche nga grupi parlamentar i Së Majtës mori në mbrojtje qendrimin e Rusisë dhe e theksoi se plani i Ahtisaarit është i dështuar. Ajo kërkoi më tej negociata të reja dhe riformimin e grupit të kontaktit, "ku të marrin pjesë të gjitha vendet antare të Këshillit të Sigurimit." Rezultati i negociatave të propozuara nga Knoche duhej të bazohej mbi parimin e ruajtjes së tërësisë territoriale të Serbisë, në kuadër të së cilës Kosovës duhej t'i jepej autonomi. Knoche gjithashtu kërkoi tërheqjen e trupave nga Kosova, në se kjo vetëshpall pavarësinë.

Këtë e kundërshtoi Marie Luise Beck, e cila e mori fjalën në emër të grupit parlamentar të Të Gjelbërve. Ajo kritikoi si qendrimin bllokues të Rusisë ashtu edhe deklartën e Bushit në Tiranë për pavarësi të njëanshme: "Të dyja palët veprojnë në mënyrë të papërgjegjshme", nënvizoi Beck. Kritikë ushtroi ekologjistja edhe ndaj Grupit të Kontaktit, i cili e kishte nënvfleftësuar qendrimin e rusëve.

Edhe deputetja socialdemokrate, Uta Zapf, pranoi se Grupi i Kontaktit kishte bërë gabim në parashikimin e qendrimit të Serbisë dhe Rusisë. Zapf megjithatë kërkoi që tani duhet shfrytëzuar koha që ka mbetur deri në vendimmarrje për të punuar në këtë drejtim.

Ministri gjerman i mbrojtjes Franz Jozef Jung kërkoi zgjidhje sa më të shpejtë të statusit. Një perspektivë hap në këtë drejtim takimi i Bushit me Putinin në Shba, tha Jung. "Unë shpresoj dhe dëshiroj që do të jetë një zgjidhje që nuk do të presë gjatë, ky është edhe gjykimi i komandantit tonë në terren Kather", theksoi ministrikristiandemokrat Franz Jozef Jung.

Për qeverinë gjermane zgjatja e mandatit të kontigjentit prej më së shumti 2500 ushtarë do të kushtojë 144 milionë Euro. Aktualisht numri i ushtarëve gjermanë, pjesa më e madhe e të cilëve është stacionuar në Prizren, është 2200. Fillimisht koalicioni i madh, i cili vendimin për zgjatjen e mandatit e kishte kaluar në kabinet një javë më parë, kishte kërkuar që miratimi në Bundestag të bëhej pa mandat. Por këtë nuk e patën e pranuar deputetët e opozitës.