Procesi për sulmin terrorist në Vjenë më 2020
19 Tetor 2022Të akuzuarit janë gjashtë meshkuj të moshës 22 deri në 32 vjeç, sipas prokurorit ata e kishin ndihmuar atentatorin në kryerjen e veprës terroriste. Islamisti nga Maqedonia e Veriut Kujtim Fejzullai hapi zjarr më 2 nëntor 2020 në një pjesë të frekuentuar të Vjenës. 20-vjeçari, i cili më parë kishte qenë në burg, vrau katër persona, përfshirë edhe një studente gjermane, përpara se të qëllohej për vdekje nga policia. 23 persona pësuan lëndime, duke përfshirë edhe disa gjermanë. Përgjegjësinë për krimin e mori milicia xhihadiste "Shteti Islamik" (IS).
Nga këndvështrimi i prokurorisë publike, të pandehurit e kanë mbështetur autorin ideologjikisht dhe me logjistikë, por nuk janë përfshirë drejtpërdrejt në atentat. Sipas prokurorisë, ata kanë ndihmuar ndër të tjera në planifikimin e atentatit dhe në gjetjen e një automatiku, i cili është përdorur në kohën e sulmit, për vrasjen e të tjerëve. Gjashtë burrat akuzohen, ndër të tjera, për përfshirje në vepra terroriste në lidhje me vrasje. Në varësi të moshës së tyre, bashkëpunëtorët e dyshuar përballen me një dënim maksimal prej 20 vjetësh, e madje edhe burgim të përjetshëm. Në gjykatën e qarkut të Vjenës, vendimet duhet të merren në shkurt.
Më i moshuari nga të akuzuarit - një 32-vjeçar me origjinë çeçene - thuhet se ka siguruar një pushkë automatike Zastava duke përfshirë edhe municionin e duhur përmes një ndërmjetësuesi të tij nga vende të tjera dhe ia ka dorëzuar atentatorit më 23 qershor 2020. Tre muaj më vonë, 32-vjeçari mësohet se ka siguruar edhe një pistoletë Tokarev dhe municione nga i njëjti person.
Sulmi në Austri në vitin 2020 jo vetëm që shkaktoi tmerr, por edhe kritika për shkak të dështimeve të hetuesisë përpara kryerjes së këtij krimi. Një komision hetimor deklaroi në një raport, se policia dhe gjyqësori nuk ndërmorën veprimet e duhura në kohën e duhur kundër autorit, i cili ishte dënuar më parë - por nuk është mbajtur nën kontroll edhe pse dihej se po bënte përpjekje të sigurojë armë nga vende të tjera.
bc/kle/se (dpa, afp, ORF)