Adolf Eichmann-i para gjyqit - Një ekspozitë
8 Prill 2011Një "bllok akulli" ka qenë ai, një bllok akulli të cilit nuk i bënte asgjë përshtypje. Kështu i kujtohet Heinrich Grüberit, Adolf Eichmanni. Grüberi ishte në kohën e nazizmit anëtar i një grupi të krishterësh evangjelistë, të cilët ndihmuan hebrenjtë. Gjatë procesit gjyqësor kundër Adolf Eichmannit, ai ishte njëri ndër shumë dëshmitarët, të cilët informuan për takimet e tyre me Eichmannin. Pjesë nga deponimi i tij gjenden në ekspozitën "Procesi - Adolf Eichmanni para gjyqit", në Fondacionin Topografi e Terror në Berlin.
Tetë muaj zgjati atëherë procesi gjyqësor kundër Adolf Eichmannit. Vendimi kundër drejtuesit të të ashtuquajturit "sektor i hebrenjve" të Gestapos, në 11 dhjetor 1961 ishte i qartë:" Fajtor për shkaktimin e vdekjes së miliona hebrenjve nga kampet e pëqendrimit, trupat e ndërhyrjes, koncentrimin e kampeve të përqendrimit dhe deportimin masiv. Fajtor për krijimin e kushteve të jetesës për miliona hebrenj, në kuadër të të cilave këta duhet të asgjësoheshin. Fajtor për shkaktimin e dëmeve të rënda trupore dhe shpirtërore miliona hebrenjve."
Mendjet e krimit para gjyqit
Andreas Nachama, drejtor i Fondacionit "Topografi e terrorit" e quan Adolf Eichmannin një "transportues të vdekjes". Ndërsa Eichmanni vetë, gjatë procesit 50 vjet më parë e paraqiti veten si "marrës urdhërash". Atij i vjen keq dhe e dënon urdhërin e asgjësimit të hebrenjve, të dhënë nga udhëheqja e atëhershme e shtetit gjerman, tha ai para gjyqit, por ai vetë ishte vetëm "një vegël në duart e fuqive më të mëdha dhe më të forta dhe e një fati të pashpjegueshëm."
Gjykata nuk e ndoqi interpretimin e tij. Ajo e dënoi atë me vdekje. Gabriel Bach ishte gjatë procesit kundër Eichmannit zëvendësprokuror. Ndërkohë ai është 84 vjeç dhe shkoi në Berlin kur dëgjoi që u hap ekspozita. Kurrë nuk do ta harrojë momentin e procesit, tha Bach, kur gjykatësit hynë në sallë dhe pas tyre emblema e shtetit izraelit. "Aty m'u bë menjëherë edhe më e qartë se në çdo moment tjetër rëndësia e shtetit Izrael, më shumë se pas çdo parade, çdo demonstrimi dhe ose çdo artikulli gazete.
Shërbimi Informativ Gjerman refuzon të vërë në dispozicion dosjen Eichmann
Procesi kundër Eichmanit u arrit të bëhet vetëm sepse atë e rrëmbeu në Argjentinë Shërbimi i Fshehtë Izraelit, Mossad dhe e dërgoi në Izrael. Kjo çoi në telashe diplomatike me RFGJ. Më vonë u bë e qartë se Shërbimi Informativ Gjerman dhe instanca të tjera të Gjermanisë Perëndimore kishin patur që në fillim të viteve '50 të dhëna për vendin e qëndrimit të Eichmannit, po nuk kishin reaguar.
Me dëshirë do të kishin hedhur organizatorët e ekspozitës një vështrim në dokumentat e fshehta, por Shërbimi Informativ Gjerman refuzoi t'i nxjerrë ato. Historiani izraelit, Moshe Zimmermann thotë se interesi në rastin e Eichmannit u zhvillua vetëm gradualisht në Gjermani, sepse ndërgjegjia historike për rëndësinë e epokës naziste në Gjermani u zhvillua vetëm ngadalë. Në fillim të viteve '50, pak pas fundit të Luftës së Dytë Botërore, Eichmanni nuk ka pasur rëndësinë që ka sot.
Vetëm procesi gjyqësor kundër Eichmannit solli edhe te publiku gjerman një interes më të madh për sqarimin e krimeve naziste.
Autor: Marcel Fürstenau/Auron Dodi
Redaktoi: Mimoza Cika Kelmendi