Procesi ndaj NSU-së - Jo më defekte!
6 Maj 2013Gjermania në vitet 1970. Në luftën kundër terrorizmit Republika Federale njihte vetëm një drejtim dhe ai ishte majtas. Vrasjet, rrëmbimet dhe atentatet me bomba të RAF-it (Fraksioni i Ushtrisë së Kuqe) kishin sfiduar shtetin dhe shteti përgjigjej me gjithçka kishte në dispozicion: me kërkime të gjera në të gjithë territorin e Republikës, me misione të njësisë speciale të policisë GSG 9 dhe me qendrim shumë të vendosur kundrejt terroristëve, edhe me çmimin e vrasjes së ish presidentit të shoqatës së punëdhënësve gjermanë Hans-Martin Schleyer, i cili ishte marrë peng nga RAF. Armiku gjendej majtas dhe të gjithë - politika, drejtësia, policia dhe Enti për Mbrojtjen e kushtetutës - krijuan front kundër "terrorit të kuq".
Të verbër në syrin e djathtë
Aq fort sa veproi atëherë dhuna shtetërore, po aq dobët reagoi ajo në rastin e dhjetë vrasjeve, për të cilat janë përgjegjës mes viteve 2000 dhe 2007 anëtarët e celulës së djathtë terroriste NSU - Ilegaliteti Nacionalsocialist. Dhe jo vetëm që NSU kreu vrasje nëpër Gjermani, por edhe më e pabesueshme, që prej vitit 1990 , vitin e ribashkimit gjerman, rreth 150 vetë kanë rënë viktimë e terrorit të djathtë në Gjermani. Kaq vrastar nuk ka qenë bilanci i RAF-it! Hetuesit duket se ishin të verbër në syrin e djathtë kur në disa raste me diletantizëm e në shumë raste me pakujdesi, nuk pranonin të shihnin atë që nuk duhej të ndodhte: në Gjermani ekziston një e djathtë e rrezikshme. Tregtarë perimesh, rrobaqepës, pronarë kioskash u vranë pasi ishin me origjinë turke. Të vrarë nga urrejtja. Me aq sukses sa përballoi terrorin e RAF-it, po me aq diletantizëm veproi shteti në luftën kundër së djathtës.
Kërkim i autorëve madje edhe në familjet e viktimave
Disa viktima do të ishin sot gjallë nëse autoritetet do të kishin organizuar një fushatë të koordinuar kërkimi. Në vend të kësaj çdo vrasje u hetua e izoluar dhe jashtë kontekstit. Dhe në pjesën më të madhe të rasteve nga policë të thjeshtë. Shkurt: u veprua në mënyrë amatore dhe aspak profesionale. Informacionet e sotme e vërtetojnë këtë. Autoritetet për mbrojtjen e kushtetutës në landet gjermane i mbajtën për vete informacionet e siguruara, nuk bashkëpunuan, nuk u krahasuan provat e ADN-së në vendet e ndryshme të krimit, policët e provincave kërkonin hajdutë bankash dhe jo terroristë.
Nuk u dallua se sulmet ishin grabitje dhe vetëm shkalla paraprake për serinë e vrasjeve. Hetuesit u treguan të verbër dhe nuk e kuptuan këtë lidhje. Neonazistët u trajtuan si ekstremistë të çorientuar dhe jo si terroristë që vrisnin me sistem. Për të afërmit e viktimave duhet të ketë qenë një tallje shtesë fakti që hetuesit për një kohë të gjatë i kërkonin autorët e vrasjeve në mjedisin turko-kurd. U fol për "kriminalitet mafioz" dhe "luftë bandash". Madje edhe ish ministri i Brendshëm Otto Schily e pati përjashtuar dhunën e djathtë si motiv të vrasjeve, gjë për të cilën shprehu keqardhje vite më vonë. Vetëm pas vrasjes së nëntë nga dhjetë gjithsej, tek autoritetet lindi dyshimi se ato mund të kishin sfond ekstremist të djathtë.
Proces në sallë të vogël
Të gjithë sytë dhe veshët janë kthyer tani drejt sallës A 101 në Mynih, vendi ku po zhvillohet procesi më i madh për aktivitet terrorist që prej viteve '70. Pesë të paditur, 71 bashkëpaditës, 12 mbrojtës, pesë prokurorë të përgjithshëm, dhjetëra dëshmitarë. Një proces që do të zgjasë më shumë se dy vjet. Gjykata e Lartë e Landit në Mynih duhet të tregojë tani gjurmët e humbura dhe të mbuluara nga autoritetet e sigurisë, në dështimin e tyre katastrofal. Kërkesa për siguri në këtë proces gjigant është e madhe. Për këtë arsye nuk pati alternativë tjetër veç sallës A 101. Vetëm 50 përfaqësues të medieve janë lejuar të jenë të pranishëm në sallë. Ky është çmimi për sigurinë që ofron salla.
Se kush lejohet të raportojë direkt nga salla dhe kush jo, edhe kjo u arrit me shumë defekte dhe vetëm në përzgjedhjen e dytë. Pas gabimeve në hetime edhe kjo! Një grotekst rrënjët e të cilit i gjen mes qendrimit të burokratëve "kështu kemi vepruar gjithnjë" dhe mungesës së taktit.
Frikë nga revizioni
Megjithatë: këmbëngulja për ta zhvilluar procesin në sallën A 101, refuzimi për një transmetim me video në një sallë të dytë, ku të gjithë përfaqësuesit e medieve të mund ta ndiqnin procesin, nuk është ngurtësi dhe as mungesë fleksibiliteti e gjykatës. Ndryshe nga procesi kundër Breivik në Norvegji, i cili u përcoll në kohë reale për publikun e gjerë, statutet e gjykatave gjermane nuk e lejojnë një gjë të tillë. Gjykatësit në Mynih i druhen një revizioni për shkaqe formale. Do të ishte një katastrofë nëse mbrojtësit e anëtarëve të NSU-së do të kishin mundësi të apelonin vendimin e gjykatës. Një frikë legjitime pas gjithë defekteve të deritanishme. Por tani e tutje asgjë nuk duhet të shkojë shtrembër.