Protesta në Prishtinë kundër vendosjes së misionit evropian EULEX në Kosovë mbi bazën e rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit
2 Dhjetor 2008Disa mijëra qytetarë të ardhur nga të gjitha rajonet e Kosovës, kundërshtuan fuqishëm vendosjen e misionit evropian EULEX në Kosovë, sepse sipas tyre ky mision ka qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës. Protesta u organizua nga një rrjet organizatash joqeveritare të mbështetura nga lëvizja "Vetvendosja". Protestës iu bashkuan e sindikatat e pavarura të Kosovës. Protestuesit nuk kursyen nga kritikat asnjë udhëheqës politik kosovar dhe ata të pranisë ndërkombëtare, madje në disa pankarta shkruhej, që misionit EULEX nuk i lejohet hyrja në Kosovë dhe shefi i UNMIK-ut, Lamberti Zanier, të shpallet person non-grata. Lideri i lëvizjes "Vetvendosje", Albin Kurti, thotë se misioni evropian EULEX ka ardhur në bazë të një plani gjashtëpikësh të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun, me pajtimin e Beogradit dhe pa i pyetur fare qytetarët e Kosovës.
"EULEX-i nuk është i mirëpritur dhe misioni do të kundërshtohet me protesta e demonstrata të vazhdueshme kundër tij, poashtu UNMIK-u duhet të largohet nga Kosova, andaj UNMIK-ut dhe EULEX-it i themi jashtë Kosovës", thotë Albin Kurti.
Protesta në Prishtinë u zhvillua në kohën, kur misioni EULEX po bënë përgatitjet e fundit që të dislokohet në Kosovë dhe sipas zyrtarëve të misionit ai do të shtrihet në të gjitha rajonet e vendit. Zyrtarisht thuhet se misioni do të fillojë punën më datën nëntë dhjetor, ndërsa shtrirja në vendbanimet serbe do të bëhet me kujdes. Kjo për faktin që edhe serbët e Kosovës pavarësisht pajtimit të Beogradit, hapur e kundështojnë misionin evropian, sepse sipas tyre misioni legjitimon pavarësinë e Kosovës. Protesta në Prishtinë kaloi e qetë, nuk u shënuan incidente, ndërsa forca të shtuara të rendit vazhdojnë të patrullojnë rrugëve të kryeqytetit. Udhëheqësit politikë kosovarë kërkojnë nga qytetarët e Kosovës, që të jenë të përmbajtur në veprimet e tyre dhe vazhdimsht përsërisin se misioni EULEX do të punojë vetëm në bazë të Kushtetutës së Kosovës.