Protesta në Prishtinë
24 Korrik 2006Disa qindra qytetarë dhe aktivistë të lëvizjes vetëvendosje, po protestojnë në Prishtinë, përpara godinave të kuvendit, qeverisë dhe presidencës, kundër negociatave që po zhvillohen në Vjenë. Protesta është organizuar nga lëvizja vetëvendosje, e udhëhequr nga Albin Kurti dhe mbështetet nga tri subjekte tjera, organizata e dala nga lufta e UÇK-së, LKÇK dhe LPK. Organizatorët e protestës thonë se negociatat e filluara do të jenë të dëmshme dhe nuk do ta sjellin
pavarësinë.
Protestuesit thonë, citojmë se "nuk mund të jetë rezultat i këtyre negociatave pavarësia, sepse pavarësia është qëndrim fillestar i palës kosovare. Pala kosovare ka hyrë në negociata dhe kjo automatikisht tregon gatishmërinë për kompromis, e ai kompromis do të ndodhë." Kompromis sipas organizatorëve të protestës do të jetë siç thonë ata varësia dhe robëria e re nga Serbia, meqenëse nuk do të jetë vullnet i popullit. Statusi i Kosovës thonë protestuesit është përcaktuar dhe ka përfunduar me luftën e ish-UÇK-së.
Protesta po zhvillohet e qetë, ndërsa nëpër rrugët kryesorë të Prishtinës vërehen forca të shtuara të policisë.