030111 Ägypten Anschlag
3 Janar 2011Qindra të krishterë vazhduan protestat kundër qeverisë pas sulmit terrorist të natës së Vitit të Ri para një kishe koptike në Aleksandri. Deri natën vonë protestuan njerëzit nëpër rrugë në Aleksandri, Kairo e në Asiut, më në jug.
"Me shpirtin dhe gjakun tonë sakrifikohemi për kryqin", thërrisnin ata vazhdimisht. Trupa të tëra forcash sigurie me helmeta, mburoja të mëdha plastike dhe shkopinj gome u përpoqën ta mbanin masën në kontroll. Pati përleshje të dhunshme, kur disa vetë u përpoqën të çanin bllokadat. Policia përdori gaz lotsjellës.
Koptët e ndiejnë veten të lënë në baltë prej qeverisë
Kështu thotë veprimtari për të drejtat e njeriut, Vael Abas: "I akuzoj autoritetet, që nuk garantuan sigurinë e të krishterëve në një ditë si Viti i Ri. Ato e përsëritën pakujdesinë e tyre, që pati për pasojë edhe masakrën e vitit të kaluar."
Vitin e kaluar ishin vrarë me armë zjarri nga një automjet në ecje e sipër shtatë të krishterë rrugës për në kishë. Për demonstruesit kjo ishte një shenjë më shumë, se të krishterët në Egjipt janë qytetarë të kategorisë së dytë. Brenda një kohe shumë të shkurtër policia i shpërndau njerëzit e zemëruar. Përleshjet e rrugëve të së shtunës në Aleksandri nuk u përsëritën. Kreu i shtetit Mubarak bëri thirrje në një fjalim të rrallë televiziv për unitet kundrejt terrorit. "Zoti mëshirëbërës na tregoi përsëri, se myslimanë e të krishterë kanë një çati mbi krye dhe se gjarprit të terrorizmit do t'ia shtypim kokën së bashku."
Sulmi u dënua nga bota arabe
Krerët e shteteve të botës arabe dhe organizatat myslimane shprehën neveri për sulmin e përgjakshëm, për organizatorët e të cilit qeveria bën përgjegjëse botën e jashtme. Maged Reda Botros, anëtar i partisë qeveritare: "Kjo mban vulën e Al Kaidës. Një vepër për të provokuar dhunë në shoqërinë egjiptiane. Ata e përdorin këtë incident të trishtueshëm, katastrofal për të ngritur myslimanët kundër të krishterëve dhe anasjelltas."
Prova konkrete për autorësinë e atentatit nuk ka ende
Në fakt para së gjithash nga Iraku ka pasur kërcënime të rrjetit terrorist kundër të krishterëve në Egjipt, por prova konkrete, ose pranim autorësie nuk ka ende. Përkundrazi nga qarqet e sigurisë mësohet se policia po përqendrohet te një grup fundamentalistësh islamikë lokalë. Me gjithë këtë pasiguri dhe frikën prej dhunës së re të krishterët në Egjipt po përgatiten për festën koptike të Krishtlindjeve në fund të javës.
Autor: Linda Staude/Elert Ajazaj
Redaktoi: Angjelina Verbica