Pse kaq shkatërrimtar tërmeti i Haitit? Shkencëtarët gjermanë përgjigjen
13 Janar 2010Tërmetet e fundit në Haiti kanë ndodhur shumë kohë më parë
Ekspertët e stacionit seizmologjik Bensberg pranë Këlnit po vlerësojnë aktualisht të gjitha rezultatet e matjeve. Në Haiti ka pasur herë pas here tërmete. Por tërmetet e fundit në Haiti ka shumë kohë që kanë ndodhur. Profesori Klaus Dieter Hinzen nga qendra seizmologjike e Bensbergut:
„ Dihet që më 1860 ka pasur një tërmet dhe se midis viteve 1750 dhe 1770 toka është dridhur atje disa herë."
Regjistrimet e asaj kohe nuk u kanë dhënë indikacione shkencëtarëve sot. Por pas 100 vjetësh kërkimesh seizmologjike në botë dihet se ekzistojnë pllaka të ndryshme kontinentale të tokës dhe se ato ndeshen me njëra-tjetrën përgjatë kufijve të caktuar. Si p.sh. në Anadoll ose në Kaliforni. Pra ka zona të kërcënuara veçanërisht nga tërmetet. Edhe nëse tërmeti i fundit në Haiti ka ndodhur para 240 vjetësh, gjendja është e qartë:
"Ekziston një pllakë e veçantë, pllaka e Karibikut midis pllakës amerikanoveriore dhe asaj amerikanojugore, ajo ndodhet si sanduiç midis tyre."
Toka e Haitit zhvendoset çdo vit
Haiti - në këtë Pllakë të Karibikut- është goditur tepër rëndë, sepse pllakat janë zhvendosur jo "mbi njëra-tjetrën", por anash, pra "në anë të njëra-tjetrës." Këtë rrëshkitje anësore të Haitit, qendra e kërkimeve gjeologjike të Potsdamit e llogarit me 2 centimetra në vit. Gjeofizikani Birger Lühr:
"Ne kemi në Perëndim dy zhvendosje anësore. Një veriore dhe një jugore dhe këto dy cm ndahen edhe njëherë. Sipas të dhënave më të fundit të matjeve me GPS kemi të bëjmë me tetë milimetra zhvendosje në vit."
Tërmetet janë të paparashikueshme
Duket jo shumë. Por meqenëse nga incidenti i fundit në Haiti kanë kaluar 240 vjet, gjithçka duhet të shumëzohet me 240. E gjitha është baraz me një kërcim gjigant prej 2 metrash.
"Epiqendra e tërmetit ishte në një thellësi 10 km, goditja ishte shtatë ballë sipas shkallës Rihter, kështu që mund të nisesh nga fakti që korja e tokës është thyer deri në sipërfaqe, ndaj janë kaq shkatërrimtare pasojat e tërmetit."
Në të gjithë botën ka më shumë se 300 stacione matjeje me seizmografë tepër precizë. Por ato mund të masin dhe të regjistrojnë tërmete vetëm kur ato ndodhin. Një parashikim për vendin dhe për forcën e tërmetit shkencëtarët deri tani nuk kanë arritur ta bëjnë. Kështu që Haiti nuk kishte asnjë shans për paralajmërim.
Autor: Wolfgang Dick/ Auron Dodi
Redaktoi: Bahri Cani