1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Punonjësit e EULEX-it të gatshëm të nisin punën në Kosovë

Bekim Shehu27 Nëntor 2008

Policët e misionit EULEX në Kosovë veshën uniformat me simbolet e misionit dhe janë të gatshëm të nisë punën. KS me një deklaratë presidenciale mbështeti shtrirjen e EULEX-it mbi bazën e rezolutës 1244 të OKB-së.

https://p.dw.com/p/G3Qg
Shefi i misionit ELUEX, Yves de Kermabon takohet me një oficer policie gjatë vizitës në një fshat të Prizrenit më 19 maj 2008Fotografi: AP

Policët ndërkombëtar të misionit evropian EULEX sot vendosën kapelet në kokë dhe në krah stemat e misionit evropian, një simbolikë kjo për të treguar gatishmërinë e tyre, që të fillojnë punën në fillim të dhjetorit. Në ceremoni mori pjesë edhe shefi i këtij misioni Yves de Kermabon, i cili tha se misioni që ai do të kryesojë do të shtrihet në të gjitha rajonet e Kosovës duke përfshirë edhe veriun e vendit. Yves de Kermabon, tha se ai është i mandatuar nga grupi ndërkombëtar për Kosovën, në të cilin bëjnë pjesë 26 vende, që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ndërsa, misioni EULEX do të funksionojë nën ombrellën e OKB-së. "Unë për punën time do të raportoj direkt në Bashkimin Evropian, mirëpo do të dërgoj disa raporte edhe në Kombet e Bashkuara sepse ju e dini që tashmë misioni evropian EULEX do të funksionojë në bazë të rezolutës 1244 të KS-it ashtu siç veprojnë edhe forcat paqerujatëse të KFOR-it", tha Yves de Kermabon. Ai tha se nuk do të ketë mision të ndarë në vendbanimet shqiptare dhe ato serbe, por do të ketë vetëm një mision.

"Është shumë e qartë se do të ketë vetëm një mision, një mision për rendin dhe ligjin dhe ai është EULEX-i, i cili do të shtrihet në të gjitha rajonet e Kosovës", tha Yves de Kermabon.


Tashmë është e qartë se misioni i BE-së për policinë dhe drejtësinë do të funksionojë në bazë të rezoluës 1244 të KS-it dhe jo në bazë të Kushtetutës së Kosovës, ashtu sic kërkonte Prishtina zyrtare. Udhëheqësit politikë kosovar sot nuk u paraqitën fare para mediave, për të komentuar përkrahjen që KS-it i dha planin gjashtë pikësh të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Mun, i cili konfimon neutralitetin e misionit evropian EULEX në lidhje me statusin e Kosovës. Një ditë para seancës së KS-it ata e refuzuan tërësisht këtë plan. Udhëheqësit politikë kosovar dërguan vetëm telegrame urimi të shkruara për festën e 28 nëntorit ditës së flamurit. Ata thonë se kjo festë në Kosovë sivjet kremtohet me më shumë krenari e gëzim për faktin që po shënohet në Republikën e pavarur dhe sovrane të Kosovës, të njohur tashmë nga 52 vende të botës. Ata thonë se institucionet dhe qytetarët në bashkëpunim të plotë me miqtë e Kosovës do të vazhdojnë të punojnë për forcimin e lirisë, demokracisë dhe ekonomisë së Kosovës, në mënyrë që shteti i ri të dëshmojë se është anëtar i denjë i kombeve të lira.