Punonjësit e Telekomit gjerman në grevë
11 Maj 2007Për shkak të firmave të vogla të telefonisë që u shfaqën në tregun gjerman pas liberalizimit të tregut të telekomunikacionit dhe mundësive gjithnjë në rritje për të komunikuar me telefon edhe përmes internetit koncerni i Telekomit me qendër në Bonn po humbet shumë klientë. Si rrugëdalje nga kjo gjendje manaxherët e Telekomit kanë propozuar që një pjesë e madhe e vendeve të punës të transferohen nga koncerni i Telekomit në një subkoncern ku pagat janë më të ulta. Punonjësit e telekomit janë hedhur në grevë për të protestuar ndaj këtij veprimi.
Telekomi gjerman është paralizuar prej një greve të përgjithshme. Me këtë grevë punonjësit e Telekomit po protestojnë kundër planeve të kryesisë së këtij koncerni për trasferimin masiv të vendeve të punës nga koncerni i Telekomit në një koncern ku pagat janë më të ulta. Thirrjes së sindikatave i janë përgjigjur 11.000 mijë punonjës të Telekomit gjerman.
Që prej privatizimit të Telekomit përpara 12 vjetësh kjo është hera e parë që punonjësit e këtij koncerni hidhen në grevë.
Të prekura prej grevës janë sidomos Call Center dhe sektori i shërbimit për klientët. Sipas drejtuesit të komisionit të grevës në Münsterland Michael Hartweg, për sa kohë klientët kanë mundësi të telefonojnë dhe të mbarojnë punë pa probleme, ata nuk interesohen për problemet tona. Por greva e tanishme do të ketë pasojat e veta në këtë drejtim, sepse në grevë janë pikërisht sektorët që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me shërbimin për klientët."
Susanne Becker e sindikatës ver.di thekson se "Kolegët e saj janë të vendosur dhe të gatshëm për një luftë të gjatë sindikaliste"
Protesta e punonjësve të Telekomit drejtohet kundër planeve për transferimin e rreth 50.000 vendesh pune nga Telekomi tek një grup shoqërish të reja të njohura me emrin T-Service. Të punësuarve prej këtyre shoqërive do t'u ofrohen paga më të ulta dhe ata do të kenë një orar javor pune më të gjatë.
Shefi i Telekomit René Obermann u bëri thirrje grevistëve të kthehen në vendet e punës: "Ne besojmë se kjo grevë nuk i vjen në ndihmë askujt. Ajo nuk krijon vende të reja pune, por sjell vetëm dëme. Ne kemi ofruar një ofertë të mirë dhe besojmë se me këtë ofertë mund t'u mundësojmë një perspektivë shumë të punësuarve në koncern."
Në fund të muajit maj punonjësëve të prekur prej masave të racionalizimit do t'u bëhet një ofertë konkrete dhe ata mund të vazhdojnë punën në kuadër të koncernit T-Service.
Që prej liberalizimit të tregut të telekomunikacionit koncerni i Telekomit me qendër në Bonn po humbet shumë klientë për shkak të firmave të vogla të telefonisë dhe mundësisë për të komunikuar me telefon edhe përmes internetit.