Putin betohet, së shpejti takohet edhe me Merkel
7 Maj 2018Presidenti rus, Vladimir Putin bëri betimin për mandatin e katërt si president. Para rreth 5000 vetëve në Kremlin ai u betua "t'i shërbente me besnikëri popullit", sipas formulës së betimit. Në fjalimin e mëvonshëm 65 vjeçari Putin tha se e sheh si "kuptimin e jetës së tij që të bëjë të pamundurën për Rusinë". Putin falënderori rusët për përkrahjen dhe tha se e sheh këtë si "kapital të madh politik", që e ndihmon të përfaqësojë interesat e Rusisë në botë.
Prej 18 vjetësh e sundon Putin politikën në vendin më të madh në botë. Në zgjedhjet e marsit 2017, ai arriti të marrë 77% të votave. Mandati i ri zgjat deri në vitin 2024, para se ai të mos kandidojë më sipas kushtetutës.
I pranishëm edhe ish-kancelari gjerman Schröder
Në ceremoninë në Kremlin ishte i pranishëm edhe ish-kancelari gjerman, Gerhard Schröder. Pamje nga televizioni rus e treguan atë në pozicion të dukshëm, afër kryeministrit Medvedev dhe patriarkut rus, Kirill. Schröder ishte nga të paktit të ftuar, të cilit Putini i dha dorën pas betimit. Ish-kancelari gjerman pas largimit nga detyra punon për koncerne energjitike ruse.
Por ceremonia e betimit të Putinit u errësua nga dhuna, me të cilën policia shpërndau një protestë të kundërshtarëve të qeverisë të shtunën. Në të gjithë vendin u ndaluan 1600 përkrahës të opozitarit rus, Aleksej Navalny. Shumica u lanë sërish të lirë. Por portali për të drejtat e njeriut, OVD-Info përmendi të hënën, se ende ka demonstrues në polici.
Putini dhe Merkel takohen në Sotçi
Vetëm pak minuta pas betimit të presidentit rus, Vladimir Putin, zëdhënësi i Putinit për çështje të politikës së jashtme, Juri Ushakov bëri të ditur, se kreu i shtetit rus do të takohet me kancelaren gjermane në Sotçi.
la/(afp, dpa)