1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Putini te Erdogani: Spektakli i harmonisë

Daniel Heinrich
3 Prill 2018

Vizita e presidentit rus Vladimir Putin tei Recep Tayyip Erdogan synon të dëshmojë harmoni. Dy vendet janë të lidhura ngushtë në planin ekonomik, por kanë divergjenca përsa i përket Sirisë.

https://p.dw.com/p/2vRA1
Türkei Recep Erdogan & Wladimir Putin in Ankara
Fotografi: Reuters/U. Bektas

Duarshtrëngime, rrebeshe blicësh, buzëqeshje për kamerat: Konferenca e përbashkët për shtyp e Vladimir Putinit dhe Recep Tayyip Erdoganit, në krye të vizitës dyditore të presidentit rus, të martën pasdite në Ankara, ishte për t'i dëshmuar botës harmoni. Dy krerët e shteteve donin të festonin së bashku fillimin e ndërtimit të centralit të parë bërthamor në Turqi. Sipas medias turke, impianti bërthamor që do të ndërtojë Rusia në Akuju, krahina në jug të Turqisë në brigjet e Mesdheut, kushton 20 miliardë dollarë dhe synon të mbulojë dhjetë për qind të nevojës së Turqisë për elektricitet.

Nuk është bashkëpunimi i parë midis Turqisë dhe Rusisë në fushën e energjisë. Kristian Brakel, drejtori i Fondacionit Heinrich Boell në Stamboll, thotë për DW se "Rusia është shumë e rëndësishme për tregun e gazit në Turqi, rreth 63% e gazit në Turqi vjen nga Rusia. Prej kohësh është duke u planfikuar gazsjellësi Turkeystream me ndihmën e të cilit do të çohet gaz edhe në BE. Kjo është e dobishme për të dyja palët. Në njërën anë, Rusia dëshiron të mbetet e rëndësishme për politikën energjetike të BE-së. Në anën tjetër, Turqia dëshiron të bëhet nyje e rëndësishme në qarkullimin e energjesë.

Infografik Karte Gazprom Turkish Stream englisch
Gazsjellësi Turkstream

Rusia dhe Turqia nuk bashkëpunojnë vetëm në tregun e energjisë: Sipas Organizatës Botërore të Tregtisë (WTO), Turqia importon vetëm nga Bashkimi Europian më shumë prodhime sesa nga Rusia. Rreth 11 për qind e importeve turke vijnë nga Rusia. Përveç naftës dhe qymyrit, prej andej eksportohet në Turqi sidomos hekuri. Edhe turizmi luan një rol të rëndësishëm. Mesatarisht rreth katër milionë rusë kalojnë çdo vit pushimet në Turqi. Ndërsa Turqia, përveç prodhimeve bujqësore, si limonë dhe fara luledielli, eksporton në Rusi kryesisht pajisje për automobilë dhe anije. Sipas Divizionit Statistikor të Kombeve të Bashkuara (UNSD), në vitin 2016 këmbimi tregtar mes dy vendeve pati kapur shifrën prej 17 miliardë dollarësh.

Siria mbetet pikë delikate

Pavarësisht nga këto ndërthurrje të ngushta ekonomike, as dy vjet e gjysmë nuk kanë kaluar qëkur marrëdhëniet mes dy vendeve pësuan një krizë serioze. Në nëntor të vitit 2015, ushtria turke rrëzoi një avion luftarak rus që kishte hyrë në hapësirën ajrore turke teksa po udhëtonte drejt Sirisë. Aeroplani u rrëzua. Një pilot vdiq. Marrëdhëniet turko-ruse vajtën në zero.

Sot është mbi të gjitha rajoni Idlib në Sirinë veriperëndimore, jo larg kufirit me Turqinë, ku bëhen të dukshme divergjencat mes Moskës dhe Ankarasë. Eksperti i Grupit Ndërkombëtar të Krizave për Sirinë, Sam Heller, është i bindur se fati i Idlibit do të vendoset në negociatat pas kuintave mes Turqisë dhe Rusisë. "Në Idlib janë grumbulluar armiqtë më të mëdhenj të Asadit, prandaj Rusia mund të dojë t'i japë regjimit sirian dritë të gjelbër për ofensivë në këtë krahinë ". Por ky hap, thotë Heller më tej, do të kishte pasoja të mëdha mbi Turqinë. Një ofensivë do të detyronte qindra mijëra njerëz që të kërkonin strehë përtej kufirit, në Turqi.

Karte Syrien kontrollierte Gebiete 30. März 2018 ENG
Zonat e konrolluara në Siri

Ankaraja dëshiron ta parandalojë këtë me çdo mënyrë. Që nga viti 2016, ushtria turke kontrollon disa zona të krahinës fqinje, Aleppo. Në fund të marsit, me ndihmën e rebelëve sirianë, ajo pushtoi edhe krahinën kurde, Afrin. Në këto zona qeveria turke synon të vendosë aty një pjesë të 3,5 milionë refugjatëve sirianë që prej vitit 2011 janë strehuar në Turqi dhe gjithmonë e më shumë bëhen shkas për tensione. Për ekspertin e Sirisë, Heller, është e qartë se: Turqia dëshiron ta mbajë Idlibin si një "zonë tampon me luftën".

Spargata e Turqisë për çështjen Skripal

Në fund të marsit, media njoftonte se Turqia nuk do t'u bashkohej vendimeve të shumë anëtarëve të NATO-s dhe BE-së për të dëbuar diplomatë rusë. Shumë shtete perëndimore reaguan kështu ndaj helmimit të ish-agjentit të dyfishtë, Sergej Skripal, dhe vajzës së tij në Britaninë e Madhe. Megjithatë, eksperti i Turqisë, Kristian Brakel, nuk e sheh këtë patjetër si largim i Ankarasë nga Perëndimi. Ai nuk mendon se ekziston një aleancë e re ruso-turke kundër Europës. "Ka edhe shumë shtete anëtare të BE-së, si Hungaria, që nuk i dëbuan diplomatët rusë. Ky ishte më tepër një aksion i disa vendeve të bërthamës së BE-së, si Gjermania, vendet skandianve, shtetet e Beneluksit. Për palën turke është një akt balancimi. Nga njëra anë, Turqia dëshiron t'i ruajë lidhjet me Europën, e sidomos me Britaninë e Madhe, por nga ana tjetër, nuk dëshiron të zemërojë Rusinë."

Ruajtja e këtij ekuilibri është si një ecje mbi litar, siç del në pah po t'u hedhim një vështrim shifrave ekonomike. Nuk është vetëm Rusia një partnere e rëndësishme ekonomike për Turqinë. Me një vëllim prej afro dymbëdhjetë miliardë dollarësh, në vitin 2016, Britania e Madhe renditej në vendin e dytë të tregjeve të eksportit të prodhimeve turke.