Përleshje të dhunshme në Egjipt
28 Janar 2011Sipas njoftimeve të korrespondentëve në Kajro, Aleksandri dhe në Suez u zhvilluan demonstrata të mëdha. Televizioni arab njoftoi se policia ka përdorur ujë me presion dhe gaz lotsjellës kundër njerëzve të grumbulluar në afërsi të xhamisë së njohur Al-Azhar. Aty kishte folur para demonstruesve politikani reformator dhe mbajtësi i çmimit Nobel për paqe, Mohamed el Baradei.
Televizioni Al Xhazira njoftoi se Baradei u bllokua nga policia. Sipas njoftimeve të tjera, pas pjesëmarrjes në një marshim paqësor proteste, El Baradein e kanë vendosur nën arrest shtëpie. Gjithashtu policia ka arrestuar shumë opozitarë. Edhe të krishterët pritet të dalin në rrugë pas vizitës në kishë.
Agjencitë e lajmeve njoftuan vendosjen e ndalim qarkullimit prej orës 6 pasdite deri në 7 të mëngjesit, për Kajron, Aleksandrinë dhe Suezin.
Sipas të dhënave amerikane, në Egjipt ndërkohë pengohen në mënyrë masive ose janë bllokuar plotësisht shumë shërbime interneti. Njësitë e policisë janë vendosur në sheshe strategjike në Kajro dhe qytete të tjera të vendit. Që prej fillimit të protestave kanë humbur jetën të paktën shtatë vetë.
Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle i bëri sërish thirrje qeverisë egjiptiane të heqë dorë nga dhuna ndaj demonstruesve. Liria e demonstrimit duhet respektuar, tha Westerwelle në kanalin e dytë televiziv gjerman, ZDF.
Mubarak - aleat i rëndësishëm i SHBA
Presidenti i SHBA-së Barack Obama ka theksuar rëndësinë politike dhe ekonomike të reformave në Egjipt. Ai i ka kërkuar vazhdimisht këto reforma nga presidenti Hosni Mubarak, tha Obama. "Dhuna nuk është përgjigja për zgjidhjen e problemeve në Egjipt. Qeveria egjiptiane duhet të tregohet e kujdesshme të mos përdorë dhunë dhe kjo vlen edhe për njerëzit në rrugë. Mendoj se është shumë e rëndësishme që njerëzit zë kenë mekanizma në mënyrë që të shprehin shqetësimet e tyre legjitime." - tha Obama.
Njëkohësisht ai vuri në dukje se Mubaraku është një aleat i ngushtë dhe i rëndësishëm i SHBA-së dhe një partner në procesin arabo-izraelit të paqes.
Autor: DW/ Mimoza Cika- Kelmendi
Redaktoi: Aida Cama