Përplasje mes EULEX-it dhe Thaçit për Fatmir Limajn
26 Nëntor 2012
Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, u kërkon udhëheqësve politikë kosovarë që mos të komentojnë rastet gjyqësore në proces. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, e kanë kritikuar ashpër misionin EULEX, pas shqiptimit të masës së paraburgimit prej 30 ditësh për deputetin e Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj, si edhe ndaj tre personave të tjerë, ish-pjesëtarë të UÇK-së, Naser Krasniqi, Nexhmi Krasniqi e Naser Shala, të akuzuar për krime lufte në ratsin e njohur si rasti Kleçka.
Thaçi: Arrestimi - fyerje e rëndë
Kryeministri Hashim Thaçi, arrestimin e deputetit Fatmir Limaj e quajti jo të drejtë. “Askush nuk mundet, as EULEX-i, që në errësirën e natës të arrestojë luftëtarët e lirisë, Fatmir Limajn dhe bashkëluftëtarët tanë. Kjo është e padrejtë, ky është turp, padrejtësi. Kjo është fyerja më e rëndë që na bëhet në këto ditë feste. Ne jemi sovran në këtë vend kemi Kushtetutën dhe ligjet. Ne jemi shtet modern dhe demokratik me rend dhe ligj”, tha kryeministri Thaçi, në kuadër të një ceremonie në Forcën e Sigurisë së Kosovës me rastin e festimeve që po bëhen në Kosovë për shënimin e 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Me tone të ashpra kundër misionit EULEX pas arrestimit të deputetit Limaj, është shprehur edhe kryetari i kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi. Arrestimin e Limajt ai e cilëson të padrejtë, një “masakër të drejtësisë nga misioni EULEX”.
EULEX-i reagon: Vendimet tona - jopolitike
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i përfaqësuesit të BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, i cili kërkoi nga udhëheqësit politik kosovar që mos të komentojnë rastet gjyqësore të cilat janë në vazhdim. “Parim themelor i çdo shoqërie moderne, demokratike është mosndërhyrja në procesin gjyqësor. Gjykatësit veprojnë në mënyrë të pavarur, prokurorët veprojnë në mënyrë autonome dhe të akuzuarit janë të pafajshëm derisa të dëshmohet fajësia e tyre. Vendimet e prokurorëve dhe gjykatësve të EULEX-it kurrë nuk kanë qenë, nuk janë dhe nuk do të jenë të motivuara politikisht”.
Sundimi i ligjit duhet të forcohet dhe të respektohet, është shprehur Zhbogar në një deklaratë të shkruar e publikuar nga zyra e tij. Kjo është mënyra që Kosova të ecë përpara në rrugën e saj drejt BE-së. "BE-ja bashkë me të gjitha instrumentet e saj, përfshirë EULEX-in, është këtu për të ndihmuar. Unë e mbështes plotësisht EULEX-in në misionin e tij. EULEX-i dhe stafi i tij po ashtu mbështeten plotësisht edhe nga të 27 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian".
Në muajin maj të këtij viti, Fatmir Limaj, u shpall i pafajshëm në një proces gjyqësor për të gjitha akuzat për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës, gjatë vitit 1999, rast ky i johur si rasti”Kleçka”. Ky proces zgjati më shumë se dy vjet. Mirëpo, më 20 nëntor, të këtij viti, Gjykata Supreme e Kosovës vendosi ta kthejë në rigjykim rastin e deputetit Limaj dhe tre ish-bashkëluftëtarëve të tij. Të shtunën pas mesnate deputeti Limaj dhe tre bashkëluftëtarët e tij, u arrestuan nga misioni EULEX dhe u dërguan në paraburgim, pasi vendimit të një gjykatësi të misionit EULEX në një seancë gjyqësore që u zhvilluar të shtunën deri pas mesnate.
Zyrtarë të misionit EULEX, menjëherë pas paraburgimit të deputetit Limaj, thanë se arrestimi i Limajt nuk është i motivuar politikisht ashtu sië e përshkruan rastin, avokatët e zotit Limaj. “Ky është një vendim gjyqësor dhe siç kemi theksuar më parë, gjyqtarët dhe prokurorët janë plotësisht të pavarur në veprimet e tyre ndjekëse dhe gjykimet e bazuara në ligj. Ata veprojnë në parimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe gjyqësori nuk është i ndikuar nga ndonjë aktor politik lokal apo ndërkombëtar”, thuhet në një njoftim të shkruar nga misioni EULEX. Misioni i Bashkimit Evropian për polici dhe Drejtësi, EULEX edhe pas përfundimit të mbikqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, ka mandat ekzekutiv në Kosovë deri në qeshor të vitit 2014. Ky mision do të merret kryesisht me rastet e krimeve të luftës dhe rastet e rënda që kanë të bëjnë me korrupsion dhe krim të organizuar.