Qeveria gjermane emëron të ngarkuarin kundër antisemitizmit
9 Prill 2018I ngarkuari i parë i qeverisë gjermane kundër antisemitizmit do të jetë diplomati Felix Klein, i cili në ditët në vijim do të emërohet në këtë post të themeluar për herë të parë, njofton gazeta "Welt am Sonntag", e cila i referohet burimeve qeveritare në Berlin.
Klein është propozuar ndër tjerash edhe nga Qendra e Këshillit të Hebenjve në Gjermani. Me çështjet e antisemitizmit ai është marrë edhe më heret: Klein aktualisht punon si i ngarkuar i Ministrisë së Jashtme gjermane për raporte me organizatat hebreje. Nga kjo detyrë ai ka ndërmarrë disa herë masa dhe ka koordinuar aktivitetet e qeverisë federale në luftën kundër antisemitizmit.
Pas emërimit zyrtar, Klein do të merret me përmbledhjen më të mirë dhe të strukturuar të delikteve antisemitiste në Gjermani. "Sipas statistikave të tanishme kriminalistike, rreth 90 % e veprave të tanishme antisemitiste, janë kryer nga persona me sfond radikal djathtist. Nga të prekurit dhe organizatat hebreje e di se niveli i rrezikut nuk kuptohet sa duhet seriozisht", thotë diplomati Klein, i lindur në vitin 1968 në Darmstadt.
Këshilli i Hebrenjve kundër migrantëve antisemitistë
Josef Schuster, presidenti i Këshillit Qendror të Hebrenjve deklaroi për gazetarën "Welt am Sonntag": "Edhe më tej ka mjaft xhami në Gjermani, në të cilat (...) predikohet urrejtje ndaj hebrenjve dhe Izraelit." Shikuar nga perspektiva e ardhjes së shumë personave të besimit islam, ai pohon: "Kush do të jetojë këtu, duhet të respektojë vlerat dhe traditat tona. Ai që nuk është i gatshëm që të pranojë normat e shoqërisë sonë, nuk duhet të fitojë të drejtën e qëndrimit të përhershëm në Gjermani."
bc/wa/haz (kna, dpa, afp, wams)