Gjermania kritikon vizitën e ministrit izraelit Ben-Gvir
4 Janar 2023Qeveria gjermane e kritikoi qartë vizitën e ministrit të ri të policisë izraelite Itamar Ben-Gvir në Malin e Tempullit. "Vizita e djeshme është provokim dhe për këtë ne e refuzojmë shumë qartë këtë qasje”, tha një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme.
Ai më tej paralajmëroi kundër çdo lëvizjeje të njëanshme që do të rrezikonte statuskuonë historike në Malin e Tempullit. Qeveria gjermane pret që qeveria e re izraelite të angazhohet për të respektuar praktikat e provuara dhe të testuara në vendet e shenjta dhe të ndalojë provokimet e tjera të qëllimshme. Vizita shkaktoi acarim edhe në Shtetet e Bashkuara. Franca, Arabia Saudite dhe shumë vende të tjera bënë gjithashtu kritika.
Ben-Gvir bën thirrje për "të drejta të barabarta për hebrenjtë".
Ben-Gvir, i konsideruar si mbështetës i së djathtës, shkoi në vendin e shenjtë në Qytetin e Vjetër të Jerusalemit të martën në mëngjes nën mbrojtjen e fortë të policisë. Sipas raportimeve të mediave, kryetari i partisë Otzma Jehudit (Forca Hebraike) shoqërohej nga aktivistë hebrenj nga Mali i Tempullit. Ben-Gviri konsiderohet si avokat i fortë i të drejtës së hebrenjve për t'u lutur në Malin e Tempullit. Ai ka thënë vazhdimisht se dëshiron të ndryshojë statuskuonë në vendin e shenjtë dhe të prezantojë "të drejta të barabarta për hebrenjtë".
Militantët palestinezë iu përgjigjën vizitës së Ben-Gvir duke gjuajtur një raketë drejt Izraelit. Megjithatë, lëshimi i raketës të martën në mbrëmje dështoi, tha ushtria izraelite. Aktualisht nuk ka raportime për të lënduar apo edhe të vdekur.
Jomyslimanët nuk mund të falen
Mali i Tempullit, së bashku me Kupolën e Shkëmbit dhe Xhaminë Al-Aksa, është vendi i tretë më i shenjtë në fenë islame. Por ai është gjithashtu i shenjtë për hebrenjtë, pasi aty dikur ndodheshin dy tempuj hebrenj. Shumë tradita biblike dhe fetare, si krijimi i Adamit dhe Evës, sakrifica e Isakut ose, nga ana islame, udhëtimi i Muhamedit, lidhen me këtë vend.
Mali i Tempullit ndodhet nën administrimin mysliman, ndërsa Izraeli është përgjegjës për sigurinë. Sipas një marrëveshjeje me autoritetet myslimane, jomyslimanët mund të vizitojnë vendin, por nuk mund të falen atje. Ben-Gvir e ka quajtur këtë marrëveshje raciste dhe diskriminuese.
Në të kaluarën, vizitat e izraelitëve nacionalistë si dhe kërkesat hebraike për të drejtën për t'u lutur në Malin e Tempullit kanë shkaktuar vazhdimisht protesta ndonjëherë të dhunshme nga palestinezët. Një vizitë e kryeministrit të mëvonshëm izraelit Ariel Sharon në Malin e Tempullit në vitin 2000 konsiderohet si një nga nxitëset për Intifadën e dytë.
aud (dpa, tgsch)