1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qeveria gjermane miraton buxhetin shtesë për vitin 2023

28 Nëntor 2023

Qeveria ka vendosur të pezullojë frenimin e borxhit për të katërtin vit radhazi me buxhetin e saj shtesë.

https://p.dw.com/p/4ZVOq
Scholz Lindner Habeck
Fotografi: Kay Nietfeld/dpa/picture alliance

Qeveria federale ka nisur miratimin e një buxheti shtesë për vitin aktual. Këtë e ka bërë të ditur Ministria e Financave e udhëhequr nga FDP. Qeveria e koalicionit dëshiron të sigurojë ligjërisht kreditë që janë përdorur tashmë këtë vit për të frenuar çmimet e energjisë dhe për të mbështetur viktimat e përmbytjeve.

Bëhet fjalë për një shumë prej rreth 45.000 milardë eurosh. Ministri i Financave, Christian Lindner, shpjegoi se buxheti shtesë i përgjigjet vendimit të Gjykatës Kushtetuese Federale.

Parakusht për planet e qeverisë federale është që Bundestagu të shpallë një emergjencë të jashtëzakonshme në vitin 2023. Kjo do të thotë që frena e borxhit e parashikuar në kushtetutë mund të pezullohet sërish. Ky do të ishte viti i katërt radhazi. Në projektligjin e tij, Ministri i Financave, Lindner përmend si justifikim krizën energjetike që rezultoi nga sulmi rus ndaj Ukrainës.

Salla e Bundestagut
Fotografi: Markus Schreiber/AP Photo/picture alliance

Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, e cila citon një dokument të brendshëm qeveritar, votimi përfundimtar në Bundestag është caktuar për 13 dhjetor dhe referimi i dytë në Bundesrat do të bëhet më 15 dhjetor.

Buxheti shtesë përmban edhe disa përditësime: ai merr parasysh faktin se ministritë kanë shpenzuar në vitin aktual më pak se sa ishte planifikuar. Edhe rubrika e interesit bankar është rishikuar. Shpenzimet për riblerjen e planifikuar të aksioneve të pensioneve anulohen përkohësisht - dhjetë miliardë euro ishin planifikuar për këtë qëllim. Koalicioni qeveritar, megjithatë, ende nuk ka arritur të bjer dakord për bazën ligjore për këtë masë.

Kreu i grupit parlamentar të CDU/CSU, Friedrich Merz e ka cilësuar buxhetin suplementar për vitin aktual si një konstrukt të guximshëm, por tërësisht të mundshëm. Megjithatë, grupi i tij parlamentar ende dëshiron të shqyrtojë buxhetin dhe më pas të vendosë si do të votojë në parlament. Më vonë do të vendoset nëse çështja do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese. Megjithatë, Merz e konsideron këtë hap me pak gjasa.