Qeveria sllovene para shpërbërjes
27 Prill 2014
Kryeministrja Alenka Bratusek nuk është më kryetare e partisë së saj "Sllovenia pozitive" (PS). Në një kongres të posaçëm të partisë ajo mori vetëm 338 prej 760 votave. Kryetar i ri u bë themeluesi i partisë dhe kryetari i bashkisë së kryeqytetit Ljubjanë, Zoran Jankoviç. 44-vjeçarja Bratusek kishte deklaruar para kongresit, se do të japë dorëheqjen nga posti i kryeministres pas 13 muajsh, nëse partia e saj nuk i jep votën.
Partnerët në koalicion me PS kishin njoftuar javë më parë, se me një parti të drejtuar nga Jankoviçi nuk do të donin të bënin më qeveri. Milioneri karizmatik e çoi PS në dhjetor të vitit 2011 në një fitore të habitshme, por pak më vonë iu desh t'ia dorëzonte kryesinë e partisë Bratusekut për shkak të akuzave për korrupsion.
Shmanget falimentimi shtetëror
Ekspertja e financiave ia doli që të shmangte falimentimin, që i kanosej shtetit slloven. Ish republika jugosllave ishtë dëmtuar rëndë nga kriza globale financiare të vitit 2008 dhe nga kriza pasuese në eurozonë. Por vendi i vogël në Alpe dhe Adriatik nuk mori para nga fondi i ndihmës për shpëtimin e euros. Me ndihmën e privatizimeve, më një program të rreptë kursimesh dhe reformash, si dhe me injeksione finanicare për institucionet e lëkundura, Bratusek mundi ta shmangë këtë hap, si dhe rregullat e rrepta të Brukselit, që lidhen me të.
Megjithatë problemet në sektorin bankar shtetëror nuk janë zgjidhur. Edhe reforma e sistemit të pensioneve, e tregut të punës dhe e konsolidimit të financave publike mungon akoma. Arsye të mjaftueshme për Jankoviçin për të akuzuar pasardhësen e tij në kongresin e partisë për një politikë të dështuar ekonomike.
Në mediat sllovene spekullohet prej kohësh lidhur me zgjedhjet e parakohshme parlamentare në shtator.