Qeveria zviceriane rikonfirmon lejimin e shkarkimeve nga Interneti
3 Janar 2012Një raport i ri i qeverisë i publikuar vitin që shkoi nga Zyra Federale e Pronësisë Intelektuale konfirmoi se ligji aktual zviceran në lidhje me shkarkimet e materialeve me të drejta autori duhet të qëndrojë siç është. Ndryshe nga shumica e vendeve të tjera, shkarkimi i materialeve me të drejta autori për përdorim personal në Zvicër është i ligjshëm. Në shumë vende shkarkimet e pa autorizuara të muzikës, filmave apo programeve ndiqen penalisht. Shpesh industria e argëtimit është ankuar nga pirateria dixhitale duke argumentuar se ata janë duke humbur para.
Për të mësuar më shumë Deutsche Welle kontaktoi me Denis Simonet, President i Partisë së Piratëve në Zvicër.
Deutsche Welle: Çfarë thotë më saktësisht vendimi?
Denis Simonet: Në fakt nuk është një rregull i ri, është vetëm një konfirmim se ligji aktual për shkarkimet nga Interneti në Zvicër nuk duhet të ndryshojë. Ky është një reagim ndaj kërkesës së deputetes së Parlamentit Zvicerian Geraldine Savary. Ajo kërkoi nga Këshilli Federal nëse vendit i duhej një ligj i ri për shkarkimet dhe ngarkimet e muzikës, filmave dhe programeve në Internet. U desh pak kohë për kthimin e një përgjigjeje sepse Këshilli i dërgoi një kërkesë Zyrës Federale për Pronësisë Intelektuale dhe këta të fundit u përgjigjën se nuk duhet të ndryshojë asgjë, pra ti mund të shkarkosh muzikë, por nuk mund t'a ofrosh atë.
DW: Ti mund të shkarkosh muzikë por nuk mund t'a ofrosh, por si funksionon në rrjete të tilla si BitTorrent, ku ndërkohë që shkarkon të kërkohet që të ngarkosh?
Simonet: Kjo është një pyetje me vend. Disa juristë e kanë studiuar me kujdes këtë situatë dhe ata thanë se nëse dikush ofron muzikën që ka shkarkuar atëherë është një veprim i paligjshwm. Por ka edhe nga ato faqe të tilla si RapidShare, ku vetëm mund të shkarkohet dhe kjo është legale ne Zvicër, por jo në vende të tjera.
DW: RapidShare është një faqe zviceriane apo jo?
Simonet: Po, por serverat e saj nuk ndodhen në Zvicër.
DW: Qeveria ndërmori një studim për të rivlerësuar nëse ligji zivcerian mbi pronësinë intelektuale duhet të ndryshojë apo jo. Një nga statistikat surprizuese të studimit ishte se një në tre zvicerianë shkarkonin muzikë, filma dhe lojra të pa autorizuara. Ishte kjo një surprizë për ju?
Simonet: Jo, nuk ishte një suprizë për mua, por është e vërtetë që kjo është një shifër e madhe. Unë vura re edhe dicka tjetër interesante. Fitimi i kompanive nuk ka ndryshuar, mënyra po. Njerëzit nuk blenë më CD, por ata shkojnë në koncerte ku biletat tashmë janë shumë më të shtrenjta.
DW: Cili ka qenë reagimi i kompanive të argëtimit dhe njerëzve të thjeshtë në Zvicër?
Simonet: Kompanitë padyshim nuk e pëlqejnë një përgjigje të tillë. Edhe deputetja Geraldine Savary tha që nuk ishte dakort me përgjigjen e Këshillit Federal.
DW: Çfarë do të thotë kjo në këndvështrimin e Partisë së Piratëve? Duket se është një vendim që është në linjën e Partisë së Piratëve në Zvicër dhe në favor të shumë personave në mbarë botën?
Simonet: Po, është diçka pozitive që shkarkimi mbetet i ligjshëm, por në opinion tonë edhe ofrimi i muzikës duhet të jetë legal. Ne mendojmë se kultura është për të gjithë dhe nëse nuk ke përfitime, atëherë ti mund t'a ndash me një publik edhe më të gjerë. Unë mendoj se muzika dhe filmat duhet të jenë të kufizuara vetëm për një periudhë të caktuat kohore. Në si Partia e Pirateve mendojmë se 14 vjet janë mjaftueshëm.
DW: Mendoni se këtë pikëpamje të Partisë së Pirateve në Zvicër duhet t'a përqafojnë edhe vende të tjera në botë?
Simonet: Sigurisht po. Ne shpresojmë gjithashtu se disa vende duhet të ndrshojnë opinonin duke mos quajtur shkarkimin si krim. Nuk është një krim, është diçka që plotëson nevojat e njerëzve. Ne duam që njerëzit të dëgjojnë muzikë sa herë që të duan ata dhe jo vetëm njëherë kur të dëgjojnë grupin e tyre të preferuar në koncert. Është e kuptueshme që njerëzit nuk duan të blejnë thjesht një CD, t'a dëgjojnë njëherë dhe më pas ta hedhin. Interneti ka ndryshuar mënyrën se si ne konsumojmë muzikën, filmat dhe kulturën në përgjithësi, ndaj dhe ligjet duhet t'i përshtaten këtij ndryshimi.
Interview: Cyrus Farivar/Amarildo Topi
Redaktoi: Bahri Cani