1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Raportet mes Perëndimit dhe Rusisë - Mbledhja e Ministrave të Jashtëm të NATO-s

VFB19 Gusht 2008

Ministrat e Jashtëm të vendeve të NATO-s diskutojnë të martën (19.08) mbi marrëdhëniet me Rusinë pas luftës pesë ditore në Gjeorgji.

https://p.dw.com/p/F0S8
Ministrat e Jashtëm të NATO-s
Ministrat e Jashtëm të NATO-sFotografi: picture-alliance/ dpa

"Süddeutsche Zeitung" komenton: "Pas pushtimit të pjesshëm poshtërues prej Rusisë, Gjeorgjia duhet të sigurohet më shumë se kurrë në pavarësinë dhe lirinë e saj. Me të drejtë kancelarja Angela Merkel e konsideron këtë edhe si detyrë të NATO-s. Përmes veprimit të ekzagjeruar dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare në Gjeorgji, Rusia ka ngritur pretendimin, se mund të veprojë si të dojë si një fuqi ushtarake në një zonë të caktuar influence. Kur këtë të martë ministrat e jashtëm të NATO-s do të diskutojnë për këtë çështje, ata duhet të dërgojnë një sinjal të qartë në adresë të Moskës. Ajo që kanë shkatërruar në infrastrukturë ushtarët rusë, duhet të rindërtohet përsëri me ndihmën e NATO-s.“


Komentatori i „Tagesspiegel“ vëren: „I vetmi shpjegim, që sqaron thelbin e insistimit të vazhdueshëm të vendeve evropiano-lindore për antarësimin në NATO është politika që ndjek Moska. Që shtetet e ish-bllokut komunist përpiqen me të gjitha mundësitë për t´u futur sa më shpejt të jetë e mundur nën mburojën e aleancës Atlantike, kjo ka të bëjë vetëm me frikën latente të tyre prej influencës së re ruse. Vetëm nëse Rusia pushon se destablizuari fqinjët e saj dhe heq dorë prej ndërhyrjeve për t´i bërë ato shtete që e pasojnë atë, atëherë mbrojtja prej NATO-s nuk do të konsiderohet më si e domosdoshme prej këtyre vendeve. Tek e fundit me qëndrimin e vet Kremlini përcakton kufijtë e NATO-s.“


Një citat nga komenti i „Mittelbayerische Zeitung“: „Qysh nga viti 1989 pas rënies së murit të Berlinit, Kremlinit iu desh të tërhiqet ushtarakisht nga Elba deri përtej Donit. Fakti që një Rusi e riforcuar synon të pengojë zgjerimin e NATO-s deri në Ukrainë dhe në Kaukaz, pasqyron vetëm qëndrimin e natyrshëm të një fuqie të madhe atomike. Në Perëndim dhe në radhë të parë në SHBA prej kohësh është harruar, që Rusia është një lojtare e pavarur në arenën ndërkombëtare. Ndaj duhet të merren parasysh interesat e Kremlinit, kjo duhet bërë as me heshtje dhe as me fjalor ushtarak.“