Raund i ri negociatash Prishtinë-Beograd?
18 Qershor 2007Diplomatët e vendeve anëtare të Grupit të Kontaktit diskutojnë sot në Kombet e Bashkuara variantin e një projektrezolute për Kosovën. Sipas gjasave do të jepet edhe pak kohë për të reflektuar dhe diskutuar lidhur me harmonizimin e qëndrimeve për statusin e ardhshëm të Kosovës.
Agjencitë e huaja të lajmeve njoftojnë se me mund do të ketë edhe një shtyrje prej katër muajsh të zgjidhjes së statusit të Kosovës që do të thotë se do të ketë edhe një raund bisedimesh Prishtinë Beograd. Nëse gjatë kësaj kohe, nuk do të ketë përparim në bisedime, atëherë padyshim thuhet se duhet kthyer serish tek plani i ndërmjetësit ndërkombëtar, Marti Ahtisari.
Burime diplomatike, thonë se kjo ide ka dalë në takimin e zyrtarëve të lartë të pesë vendeve të Grupit të Kontaktit që u mbajt javën e shkuar në Paris. Udhëheqësit politikë kosovarë, më parë kanë deklaruar se negociatat me autoritet serbe kanë përfunduar dhe kompromisi i vetëm për ta mund të jetë pavarësia e Kosovës.
Megjithatë zhvillimet e fundit në arenën ndërkombëtare përkatësisht mosarritja e një konsensusi për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, politikanët në Kosovë i ka bërë skeptik se kjo çështje mund të përfundojë gjatë këtij muaji, ashtu siç paralajmëruan ata gjatë gjithë vitit.
Analistët në Kosovë mendojnë se një raund i ri bisedimesh Prishtinë-Beograd, mund të ndodhë bazuar në paralajmërimet e diplomatëve perendimorë mirëpo, sipas tyre këto negociata nuk do të sjellin rezultate ashtu si ndodhi me negociatat e shkuara. Analistët mendojnë se një raund i ri negociatash Prishtinë-Beograd, do të thotë blerje e kohës edhe për disa muaj dhe një rikonfirmim i një situate pa shtegdalje të zgjidhjes së statusit të Kosovës.