Reagime nga Prishtina për zgjedhjet në Serbi
21 Janar 2008Reklamë
Udhëheqësit më të lartë në Kosovë, i kanë cilësuar zgjedhjet presidenciale në Serbi si zhvilllime të një vendi fqinj, që nuk kanë kurrfarë ndikimi në Kosovë. Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, thotë se Kosova ka rrugën e saj, se ajo do të bëhet shumë shpejt vend i pavarur dhe se do të ngrejë marrëdhënie të mira me vendet fqinjë, përfshirë edhe Serbinë. Qeveria e Kosovës është shprehur se është e drejtë legjitime e Beogradit, që të interesohet për serbët e Kosovës, mirëpo sa i përket statusit final, Serbia nuk mund të ndikojë në vendimin për pavarësinë e Kosovës. Qytetarët e Kosovës që janë anëtarë të komunitetit serb, morën pjesë në zgjedhjet presidenciale të Serbisë, pasi i bojkotuan më parë zgjedhjet e fundit që u zhvilluan në Kosovë. Ata thonë se nuk dëshirojnë të jenë pjesë e institucioneve kosovare, të cilat sipas tyre kanë qëllim kryesor pavarësinë e Kosovës.