Israel Türkei Reax
31 Maj 2010Gjatë një sulmi të ushtrisë izraelite kundër disa anijeve ndërkombëtare me mallra ndihmë për Rripin e Gazës, u vranë 19 vetë dhe u plagosën 26 të tjerë, bëjnë të ditur mediet izraelite. BE e ka kritikuar sulmin si "krejt joproporcional".
Ankaraja bën fjalë për incident të rëndë
Nga ana e saj, Qeveria e Ankarasë e dënoi aksionin ushtarak dhe kërkoi "sqarim urgjent". Qeveria izraelite tregoi edhe njëherë tjetër, se nuk preokupohet për jetën e njerëzve dhe për iniciativat e paqes, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme turke. Më konkretisht: "Ky incident i rëndë mund të ketë pasoja të pariparueshme për marrëdhëniet turko-izraelite."
Mediat turke bëjnë të ditur se kryeministri turk, Erdogan, për shkak të incidentit në Mesdhe ndërpreu udhëtimin e tij në Amerikën e Jugut dhe ndodhet rrugës për në Ankara. Atje për gjendjen aktualisht po diskutojnë ministri i Mbrojtjes Gönül dhe ministri i Jashtëm, Davutoglu. Edhe ambasadori izraelit në Ankara u thirr në Ministrinë e Jashtme, për të kërkuar prej tij një sqarim për incidentin, u bë e ditur.
Disa nga anijet me ndihma udhëtojnë me flamur turk, midis tyre edhe anija e pasagjerëve që u sulmua "Marmara". Sipas të dhënave të kanalit televiziv turk NTV, 325 pasagjerë, me fjalë të tjera shumica e tyre, janë nënshtetas turq. Edhe tri gjermanë kanë qenë në bordin e kësaj anijeje
.
Protesta të turqve para konsullatës izraelite
Kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit turk, Mercan tha në një intervistë televizive: "Nëse Izraeli do ta kishte ndërmarrë këtë aksion në ujërat e tij territoriale, e gjitha do të kishte qenë në njëfarë mase e kuptueshme. Por Izraeli e ndërmorri këtë akt në ujërat ndërkombëtare. Nëse Izraeli ka dashur të tregojë me këtë akt vendosmërinë e tij, apo nëse ka dashur të bëjë një vetëvrasje politike, kjo do të dalë në pah në ditët në vazhdim."
Në Stamboll sot u mblodhën që në mëngjes disa qindra vetë para Konsullatës së Përgjithshme izraelite, për të protestuar kundër aksionit ushtarak izraelit. Demonstrues të dhunshëm u përpoqën të hyjnë në territorin e konsullatës. Policia u detyrua t'i sprapsë ata me gaz lotsjellës dhe ujëhedhës.
Autor: Stefan Wurzel/Auron Dodi
Redaktoi: Lindita Arapi