1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reagime pas zgjedhjes së Vjosa Osmanit Presidente e Kosovës

Bekim Shehu
5 Prill 2021

Bashkimi Evropian pret nga Presidentja Osmani reforma dhe angazhim në dialogun me Serbinë.

https://p.dw.com/p/3rawo
Kosovo I Vjosa Osmani I Wahlen
Fotografi: Visar Kryeziu/AP/picture alliance

Parlamenti i Kosovës zgjodhi për herë të dytë një grua Presidente të Kosovës. Vjosa Osmani-Sadriu, Presidentja e re e Kosovës me profesion juriste, kishte drejtuar Kuvendin e Kosovës për një vit, nga 3 shkurti 2020 deri më 22 mars të vitit 2021. Më herët, pas dorëheqjes së ish-Presidentit Hashim Thaçi, i cili është akuzuar nga Gjykata Speciale për krime Lufte, Vjosa Osmani si kryeparlamentare ushtroi edhe detyrën e Presidentit për më shumë se katër muaj. Dhe nga data 4 prill ajo do të mbajë postin më të lartë shtetëror, Presidente e Republikës, me një mandat pesëvjeçar.

Presidentja e re e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu në fjalimin e saj para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, e vuri theksin tek sfidat që ndodhen përpara Kosovës, përfshirë pandeminë COVID-19 që në Kosovë ka marrë përmasa shqetësuese.

"Sfidat janë të shumta, posaçërisht ajo me pandeminë, e cila kërkon që ne të bëhemi sërish bashkë që të mund ta luftojmë atë. Prandaj le t'i qëndrojmë pranë njëri tjetrit dhe t'i japim përkrahje qeverisë së vendit në menaxhimin e saj. Në këtë sfidë fitorja e suksesi nuk i takon vetëm njërës palë, fitorja do të jetë e përbashkët dhe vetëm të bashkuar do të mund ta bëjmë të mundur”, tha Osmani.

 

Vëmendje e posaçme nga Presidentja femrave në Kosovë

Një pjesë të fjalimit, Presidentja Osmani-Sadriu, ua kushtoi vajzave dhe grave të Kosovës.

"Vajzat e kanë vendin vetëm aty ku ato vetë dëshirojnë, aty ku ato çdo natë ëndërrojnë, aty për çka punojnë me zell. Pa marrë parasysh nëse ëndërroni të bëheni presidente, juriste, ndërmarrëse, police, ushtare apo çdo profesion tjetër, që ua do zemra, mos e ndalni hapin tuaj kurrë, çdo gjë është e mundur e çdo ëndërr e juaja mund të bëhet realitet dhe për këtë duhet të besojmë bashkë fort. Do t'ju mbështes me gjitha mundësitë që kam e me gjithë qenien time”, tha Presidentja.

Krahas pandemisë dhe shumë sfidave të tjera, institucionet e Kosovës menjëherë do të përballen edhe me kërkesën e vazhduesme të komunitetit ndrëkombëtar, rifillimin e dialogut me Serbinë, me synim arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse. Në këtë pikë, Presidentja Osmani-Sadriu, tha se Kosova do të angazhohet sepse, siҫ tha, “dialogu është vërtet rruga që kemi përpara”.

Por ajo shtoi se "dialogu duhet të jetë i drejtë dhe i barabartë, e paqja do të arrihet vetëm kur të shohim pendesë nga Serbia, kur të kërkohet falje nga ajo dhe kur të vihet drejtësi për ata që kanë pësuar nga krimet e tyre”.

Bashkimi Evropian, që është ndërmjetës në dialogun Kosovë-Serbi, e ka uruar  presidenten e Kosovës Vjosa Osmani për zgjedhjen e saj në këtë pozitë, duke pritur që ajo të angazhohet për reforma dhe dialog.

Kosovo I Parlament
Fotografi: Armend Osmani/AFP

"BE mirëpret që të punojë ngushtë me Presidenten Osmani dhe me institucioniet e sapo konsoliduara të Kosovës. Kosova tani duhet të rinisë reformat e lidhura me BE dhe në dialogun e ndërmjetësuar nga BE”, thuhet në urimin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë.

Edhe Komisioneri Evropian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, e uroi zgjedhjen  e Presidentes Osmani, duke theksuar qartë se "vazhdimi i dialogut me Beogradin është thelbësor”.

"BE pret të punojë me Presidenten, qeverinë e re dhe parlamentin për të çuar përpara agjendën evropiane dhe reformat e lidhura me BE, në interes të qytetarëve të Kosovës. Vazhdimi i dialogut me Beogradin është thelbësor”, shkroi në Twitter Varhelyi.

Gjermania pret bashkëpunim të ngushtë

Në urimin e tij, ndërkaq, ambasadori gjerman në Kosovë Jorn Rohde, tha se Gjermania do të vazhdojë të jetë "mike dhe partnere e ngushtë për Kosovën”. Ai u shpreh se pret "që të punojë nga afër me ju për intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve gjermano-kosovare”.

Zgjedhja e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, u mundësua nga partia opozitare Lidhja Demokratike të Kosovës, parti në të cilën deri në qershorin e vitit 2020 zonja Osmani ishte zyrtare e lartë. Madje në zgjedhjet e vitit 2019 LDK-ja e paraqiti zonjën Osmani si kandidate për postin e kryeministres.

Kryetari i ri i LDK-së Lumir Abdixhiku, që duket i afërt më zonjën Osmani dhe që i krijoi asaj kuorumin që të zgjidhet Presidente tha se "Lidhja Demokratike e Kosovës, si gjithherë, edhe këtë herë, ka zgjedhur konstruktivitetin si mjet të vetëm demokratik; duke vënë sërish një standard të ri politik në vend. Pas gjetjes së qetësisë politike të domosdoshme, ne do të ushtrojmë me dinjitet zërin tonë opozitar, për t'i dhënë vendit një alternativë që i duhet në sfidat përpara”.

Ndërsa Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili Vjosa Osmanin e renditi në fillim të listës së Vetëvendosjes në zgjedhjet e 14 shkurtit, tha se pas konfirmimit të Vjosa Osmanit Presidente, së bashku me qeverinë i presin punë të mëdha. "Na presin shumë punë të mëdha e të vështira, në ditët e javët e muajt në vijim, në kushtet e një krize të shumëfishtë, dhe pandemia e cila na u shtua para një viti, është veçse njëra prej tyre. Por, bashkë gjithsesi do t'ia dalim”, shkroi Kryeministri Kurti.