Reagime të ashpra lidhur me publikimin e tatimeve
27 Maj 2015Njoftimet konçize janë formuluar në një gjermanishte shumë të mirë zyrtare, dhe kush do t'i shohë në faqen e internetit të administratës tatimore zvicerane, duhet t'i kërkojë pak. Por pastaj faqen nr.19 të datës 20 maj i gjen: "Vendimet përfundimtare për ndihmën e ndërsjellë", që fusin sërish sherrin në marrëdhëniet gjermano-zvicerane. Aty janë shënuar qartë emrat e dhe mbiemrat e personave, për shkakun e të cilëve jep ndihmesën autoriteti zviceran i taksave. Në mesin e tyre ka edhe disa gjermanë.
Politikanët gjermanë për dekada të tëra akuzonin zviceranët se ishin shumë të heshtur në çështjen e taksave. Por kjo lloj transparence është për shumëkënd në Gjermani e tepruar- kështu edhe për ministrin e Financave të landit Baden-Württemberg, Nils Schmid: "Në luftën kundër evazionit fiskal nuk është fjala për të çuar në gjyq persona të veçantë, por për të krijuar drejtësi në sensin e shumicës së madhe të tatimpaguesve të ndershëm", i tha Schmid agjencisë së lajmeve dpa: "Praktika zvicerane duket të paktën e çuditshme."
Shkelje e sekretit fiskal?
Pozicioni gjerman është i qartë: Përmendja e emrave konkretë nuk pajtohet me parimin e sekretit fiskal. Kështu e sheh çështjen edhe ministri i Financave të landit Nordrhein-Westfalen, Norbert Walter-Borjans. Megjithatë Walter-Borjans dëshiron t'i përdorë informacionet e fituara. "Në qoftë se Zvicra përmend emrat e shtetasve gjermanë në lidhje me parregullsitë e mundshme tatimore, autoritetet tona duhet dhe do ta ndjekin këtë çështje."
Sven Giegold, deputet i të Gjelbërve në Parlamentin Evropian, është i tronditur dhe sheh madje këtu edhe një shkelje të të drejtave e lirive civile. "Këtu autoritetet zvicerane shkojnë një hap më larg", thotë Giegold për DW. "Në vend të që bëjnë në këtë mënyrë publikë emrat e evazorëve fiskalë, është më mirë të këmbejnë emrat me vendet partnere. Atje mund të bëhet verifikimi i duhur." Për të prekurit kjo mund të ketë pasoja. Mbrojtja e tyre ligjore rrezikohet në këtë mënyrë. "Ne e perjetojmë që tani, se kjo çon në gjykime të parakohshme. Me gjithë vlerësimin për transparencën e re zvicerane: Kjo procedurë nuk është në përputhje me shtetin e së drejtës."
Publikimi "në interes të të prekurve""
Administrata Federale Tatimore në Zvicër mbrohet në një intervistë me DW nga akuzat e ngritura nga Gjermania.Publikimet në Gazetën Federale nuk kanë automatikisht lidhje me shkeljet tatimore, thotë zëdhënësi i shtypit, Beat Furrer. "Kur parashtrohet një kërkesa, që kërkon ndihmën e Zyrës zvicerane, duhet të kontaktohet personi në fjalë. Por në qoftë se banka nuk ka më adresën, apo xhirollogarinë, atëherë ekziston mundësia që ta kontaktojë personin përmes Gazetës Federale." Që për këtë duhet të përdoren edhe disa emra të qartë dhe të dhëna personale, ështe e domosdoshme. Megjithatë: "Këtu është fjalë për mundësinë e fundit. Zakonisht funksionon që të kontaktohet banka. "Publikimi është në fund të fundit edhe në interes të atyre që preken, thotë Furrer - për ta apeluar eventualisht çështjen. "Kjo është një e drejtë themelore kushtetuese."
Në Gjermani nuk ka një gjë të tillë. Prandaj atje nuk ka asnjë arsye për të kërkuar në internet publikisht dhe me emra të huajt, të cilët mund të flasin për një çështje tatimore. Sipas zviceranëve nuk duhet patur frikë që evazorët në të ardhmen do të paditen në masë të madhe. Furrer gjithsesi garanton: "Ne nuk do të publikojmë listën e klientëve të HSBC." Ky apo ai evadues tatimor anonim mund të marrë frymë lirisht në dhomën e tij.