Reagime të qytetarëve të Kosovës për deklaratën presidenciale të Këshillit të Sigurimit mbi misionin EULEX
27 Nëntor 2008“Dikur politika bëhej ndryshe. Kurse, tash politikanët merren me punë të huaja, ndërsa populli merret me politikë. Po të merrej secili me punën e vet, do të ishte shumë më mirë për të gjithë ne që jetojmë në Kosovë e në Serbi”-thotë për Deutsche Welle-n Vlladimir Saviç, nga Bellopoja. Ndërsa, Bozhidar Fatiç, 45 vjeç nga Peja, mendon se pas çdo vendimi të ri gjendja sociale mbetet e njëjtë: “Statusi social vazhdon të jetë në pikëpyetje - thotë Bozhidari - E nëse Këshilli i Sigurimit dhe të gjithë ata që duan ta ndihmojnë Kosovën, do të orejntohen në këtë çështje, kjo sërish varet nga fuqitë e mëdha…”.
46 vjeçarin, Rajko Saviç, e gjejmë tek përgatit ushqim për shpezët e tij: “As që më intereson, bile! Sepse, askush nga Kosova dhe as nga Serbia nuk ka ardhur t´më pyes:”Rajko Saviç, a ke ti me çka të ushqesh shpezët e tua?” Unë dua të jem mire me ty, me fqinjin tim shqiptar, serb, boshnjak, italian, çfarëdo qoftë ai, e për të tjerat s´më interesojnë. Mbaruam me këtë!”
Bashkëshortët, Vinka dhe Sasha Radosavljeviç, të kthyer në Klinë, ata bëjnë thirrj që: „T´i lenë njerëzit të jetojnë normalisht, e jo politikanët të pasurohen e ne të vuajmë urie. Në vend se të bëjnë një sistem që të mund të jetojmë, ata nxisin përçarje, grindje, luftra… Dhe në fund ai që humb më së tepërtmi është populli!”
„Është krizë e madhe, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi. Ata bëjnë politika e qytetarët vuajnë“-shton e bashkëshorti i saj, Sasha.
Shqiptarët, të cilët jo fort larg, me një protestë paqësore i thanë “Jo” propozimit të Ban Ki Munit, deklaratën presidenciale të Këshilli të Sigurimit të OKB-së e pritën me shqetësim të madh. Por, Aver Husaj nga Peja i bën thirrje popullit të tij t´i mbetet besnik synimit përfundimtar për një Kosovë unike dhe të pandarë, e mbi të gjitha, të qetë: „Populli duhet t´i jetë besnik fjalës së vet… Të jetë besnik dhe aleat i fortë i qeverisë dhe i struktrave udhëheqëse të Kosovës, që nuk guxojnë ta shkelin dhe ta tradhtojnë fjalën e vet së pari, e pastaj fjalën e popullit."