Reduktimi i KFOR-it të mbajë parasysh gjendjen në Kosovë
12 Gusht 2009Qeveria e Kosovës nuk shqetësohet për reduktimin e trupave të KFOR-it
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, i cili të enjten qëndron në Kosovë, ka deklaruar se deri në fund të mandatit të tij dëshiron ta shohë KFOR-in të reduktuar në një forcë të vogël reagimi. Ai ka thënë se do të tërhiqet gradualisht nga Kosova. Qeveria e Kosovës nuk shqetësohet për reduktimin e trupave të KFOR-it. Ajo thotë se reduktimi i trupave të KFOR-it në Kosovë është synim i përbashkët i NATO-s dhe institucioneve të Kosovës. Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Femi Mujota thotë se reduktimi i trupave të KFOR-it është tregues i qartë se situata e sigurisë në Kosovë është e qëndrueshme.
“Është një parashikim objektiv, është një parashikim që shtron para vetes obligime të reja. Vendimin për reduktimin e trupave të KFOR-it unë e shoh si një të arritur të përbashkët të NATO-s, bashkësisë ndërkombëtare edhe institucioneve të Kosovës dhe ky është një vlerësim për progresin e arritur në Kosovë”, thotë ministri Mujota.
Njohës të çështjeve të sigurisë: Kosova ka akoma probleme të nivelit të sigurisë
Por njohës të çështjeve të sigurisë thonë se tërheqja e trupave të KFOR-it nga Kosova është një veprim i përshpejtuar, sepse vendi sipas tyre akoma ka probleme të nivelit të sigurisë. Ramadan Qehaja, një ish-ushtarak, i tha DW-së se Kosova në aspektin e sigurisë së përgjithshme është në një hendikep të madh, sepse nuk i ka të ngritura në nivelin e duhur organet e veta të sigurisë.
“Unë mendoj se Kosova është në një brishtësi të situatës së sigurisë. Kur e them këtë mendoj veriun e Kosovës, pjesë kjo e cila realisht është e shkëputur nga Kosova, sepse qeveria e Kosovës nuk ka qasje në atë territor. Në këtë pjesë mund të ketë situata të paparashikueshme dhe destabilizuese, jo vetëm për Kosovën por edhe për rajonin”, thotë Ramadan Qehaja.
Statusi i Forcave të Sigurisë të Kosovës është ende ai i një organizate civile
Qeveria e Kosovës, krahas reduktimit të trupave të KRFO-it, synon të forcojë Forcën e saj të Sigurisë, e cila akoma nuk mund të cilësohet si ushtri e Kosovës. Statusi i saj tash për tash është i një organizate civile. Ministri i kësaj force, Fehmi Mujota, thotë se kapacitet e para të Forcës së Sigurisë së Kosovës do të nisin në shtator të këtij viti.
“FSK në shtator do të deklarojë kapacitetet e para operacionale. Ne kemi një afat kohor, kur duhet të arrijmë kapacitetet e sigurisë në kuadër të kësaj trupe. Ne po bëjmë punën tonë dhe reduktimi i trupave të KFOR-it dhe ngritja e FSK-së janë dy procese të ndara. Mirëpo për çdo gjë jemi të kordinuar mirë me NATO-n”, thotë ministri Mujota.
Aktualisht në Kosovë veprojnë rreth 15 mijë trupa të NATO-os. Reduktimi në faza tashmë ka filluar, por me numër të kufizuar të tërheqjes. Sekretari i ri i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmunsen ka thënë se deri ne përfundim të këtij viti nga Kosova do të largohen rreth 3 mijë trupa të KFOR-it.
Autor: Bekim Shehu / Prishtinë
Redaktoi: Auron Dodi