1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rekordi i infektimeve përballë tablosë së madhe të gjendjes

12 Nëntor 2021

Gjermania ka shënuar rekord të ri infektimesh me koronavirus. Autoritetet paralajmërojnë, por kritikët kujtojnë se situata aktuale ndryshon nga valët e tjera të pandemisë.

https://p.dw.com/p/42wAq
Maskenpflicht in Deutschland | Hinweisschild in Köln
Fotografi: Christoph Hardt/Geisler-Fotoprespicture alliance

Numri rekord i infektimeve me koronavirus në Gjermani është një tregues i padyshimtë se Gjermania ndodhet thellë në valën e katërt të pandemisë. Incidenca shtatëditore, të premten (12.11.), arriti mbi 263 të infektuar për 100.000 banorë.  Të enjten  pati më shumë se 50.000 të infektuar të rinj në një ditë. Ka lande federale si Bavaria, që kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme.

Paralelisht me këtë, Instituti Robert Koch, autoriteti kryesor shëndetësor në Gjermani dhe ekspertë të shëndetit po përsëritin thirrjet që njerëzi të shmangin aktivitetet masive. Ata kërkojnë që maskat dhe distanca sociale të bëhen të detyrueshme edhe për personat e vaksinuar.

Por në medie tërhiqet vëmendja se situata aktuale ka një dallim të madh me dimrin e kaluar. Atëherë vdisnin përditë 900 vetë, tani humbasin jetën 144 vetë – tendenca e rritjes është jo e shpejtë. Është vaksinuar deri tani 66,9 përqind e popullatës. Miliona vetë e kanë kaluar Covidin. Megjithë dobinë e thirrjeve alarmuese – pa dyshim edhe ato kanë meritë që gjermanët  u sollën në valët e shkuara të pandemisë më me kujdes ndaj virusit se fqinjët– kritikët thonë se duhet mbajtur parasysh situata në valën e katërt. Ata thonë se njerëzit nuk duhen frikësuar duke u nisur vetëm nga modele abstrakte matematikore të avancimit të virusit. Njëkohësisht duhen mbajtur parasysh si pasojat ekonomike, ashtu edhe pasojat psikike te gjendjes së vazhduar të panikut te njerëzit, kur shqiptohen thirrje alarmuese për vetëkufizim social.

Një biletë falas për karuselin në këmbim të vaksinimit
Një biletë falas për karuselin në këmbim të vaksinimitFotografi: Matthias Bein/dpa/picture alliance

Personat e pavaksinuar – një nga burimet e pandemisë

Shkaqet për numrin rekord të infektimeve janë të ndryshme. Në radhë të parë ato kanë të bëjnë me personat e pavaksinuar ende. Kanë të bëjnë, ndonëse më pak, edhe me mundjen e vaksinimit nga koronavirusi.

Ministria gjermane e Shëndetësisë njoftoi se nëntë nga dhjetë pacientë të shtruar në stacionet intensive janë të pavaksinuar.  Prandaj Ministri gjerman i Shëndetësisë në detyrë, Jens Spahn, e quajti valën e katërt, pandemi të të pavaksinuarve. Kemi të bëjmë, kryesisht, me persona që janë parimisht kundër çdo lloj vaksine. Për vaksinën kundër koronavirusit ata thonë se ajo u zhvillua shumë shpejt dhe nuk i njihen efektet afatgjata – duke harruar miliona vetët në të gjithë botën, që tashmë janë imunizuar me sukses me të.

Më shumë se 50000 infektime të reja
Më shumë se 50000 infektime të rejaFotografi: Revierfoto/imago images

Dihet që varianti aktual i virusit prek shumë edhe të rinjtë. Në Gjermani mbeten 16 milionë të pavaksinuar të moshës mbi 12 vjeç.

Ndaj një hap me vend mund të ishte futja e detyrimit për vaksinim  jo vetëm për profesione të caktuara, por dhe për grupe të caktuara të popullatës. Për disa profesione, si për mjekët dhe personelin e infermierisë po diskutohet që të bëhet me detyrim, përforcimi i vaksinës.

Rastet kur koronavirusi mposht vaksinën

Instituti Robert Koch ka publikuar së fundi, në fund të tetorit (21.10.) një shifër për rastet kur virusi ka depërtuar te njerëzit, megjithë vaksinimin paraprak të tyre. Përballë 55 milionë vaksinimeve, në fund të tetorit kishte mbi 95.000 raste, kur virusi e kishte mundur vaksinën. Për fat të mirë te pjesa dërrmuese e rasteve të tilla kemi rrjedha të lehta të sëmundjes.

Ekspertët thonë se ka shumë arsye për rastet kur virusi mund vaksinën.

Një shkak është sistemi i dobët i imunitetit te disa njerëz. Për shembull te pacientët që i nënshtrohen kimioterapisë. Kjo ndodh edhe te njerëzit me sëmundje autoimune. Ose te të moshuarit, sistemi imunitar i të cilëve nuk reagon gjithmonë si duhet ndaj vaksinimeve. Komisioni i Përhershëm i Vaksinimit i Gjermanisë ka rekomanduar një vaksinim përforcues kundër koronës për personat mbi 70 vjeç.

Arsye tjetër për mposhtjen e vaksinimit janë mutacionet e reja. Varianti agresiv Delta mund të zvogëlojë efektin e vaksinave. Matjet kanë treguar më tej edhe se pas tre muajsh, efekti i vaksinës bie. Ulet numri i antitrupave, pra duhet bërë rifreskimi i vaksinës.

Stacion i kujdesit intensiv në Lajpcig
Stacion i kujdesit intensiv në LajpcigFotografi: Waltraud Grubitzsch/dpa/picture alliance

Rritja e infektimeve pritej

Ekspertët e prisnin rritjen e numrit të infektimeve. Nga njëra anë përqindja jo e lartë e vaksinimit të popullatës dhe nga ana tjetër, lehtësimi i masave kufizuese do të sillnin rritjen e infektimeve. Pra edhe valën e katërt të pandemisë.

Ajo që i shqetëson mjekët janë ritmet e shpejta të shtimit të numrit të të sëmurëve. Aktualisht janë zënë vetëm gjysma e shtretërve të kujdesit intensiv, krahasuar me valën e dytë të pandemisë.

Tabelë që kujton mbajtjen e maskës
Tabelë që kujton mbajtjen e maskësFotografi: Daniel Reinhardt/dpa/picture alliance

Por mjekët gjermanë kanë lëshuar alarmin: se nuk mund të shmanget më mbingarkesa për 4000 shtretërit (disa raportojnë se janë 5000 shtretër intensivë, por për ta nuk ka personel të kualifikuar ) në stacionet e kujdesit intensiv. Prandaj klinikave u bëhet tani thirrje "të shtyjnë menjëherë operacionet" që presin. Për të gjitha spitalet, kjo do të thotë që ata duhet të kufizojnë shërbimet e tyre, pavarësisht nga numri i pacientëve me Covid që kanë ata vetë. Vetëm kështu ata do të jenë në gjendje të ndihmojnë klinikat e mbingarkuara.

Masat që përgatit politika

Partitë që po negociojnë për formimin e qeverisë, socialdemokratët, Të Gjelbrit dhe liberalët e FDP-së e kanë përjashtuar një mbyllje të re të aktiviteteve publike. Gjendja kombëtare e emergjencës përfundon në 24 nëntor. Më shumë kompetenca për masat në të ardhmen do të kenë landet federale.

Kancelarja në detyrë Angela Merkel njoftoi se nëse situata përkeqësohet në spitale do të futet rregulli 2G. Sipas tij, vetëm personat që paraqesin çertifikatën e vaksinimit ose dëshmi të shërimit nga sëmundja mund të hyjnë brenda p.sh. në hotele dhe dyqane.

Që prej së shtunës (13.11.) do të ketë sërish teste falas për Covid-in. Ato qenë kthyer në teste me pagesë, për të nxitur fushatën e vaksinimit.

Kancelari i mundshëm i ardhshëm i Gjermanisë, socialdemokrati Olaf Scholz e mbështeti propozimin e Merkelit. Ai tha këtë javë në Bundestag se duhen marrë masa në vendet e punës. Aty do të lejohet të shkojnë vetëm persona që janë vaksinuar, janë shëruar nga infektimi dhe ata që janë testuar. Ai tha se do të imponohet detyrimi për të mbajtur maskën dhe masat e higjenës.

Instituti Robert Koch i kërkon këto masa edhe për të vaksinuarit. Disa lande federale, si p.sh. Bavaria, tashmë kanë rifutur përkohësisht maskat në shkolla.