210811 Weltjugendtag Abschlussgottesdienst
22 Gusht 2011Shumica e të rinjve që morën pjesë në meshën e fundit të Ditëve Botërore të Rinisë që celebroi në Madrid Papa Benedikt XVI e kishin kaluar natën jashtë. Edhe pse pas stuhisë me erë dhe shi të madh të së shtunës (20.8.) nata kaloi e qetë, shumë të rinjve u dukej lodhja në fytyrë, pas një natë me pak gjumë dhe ditëve të nxehta në Madrid.
Forcimi i besimit
Në predikim Benedikt XVI. u bëri thirrje të rinjve katolikë të u mbledhur në Madrid të forcojnë besimin e tyre dhe të çojnë atë më tej. Për Papën është e qartë, besimi i vërtetë ekziston vetëm në unitetin me kishën. Askush nuk duhet dhe mund ta bëjë vetë besimin e tij.
"Jezusin nuk mund ta ndiqni të vetëm. Kush i nënshtrohet tundimit, që ta ndjekë Jezusin “në mënyrën e tij ", apo të jetojë besimin në përputhje me pikëpamjet individualiste mbizotëruese në shoqëri, është në rrezik, të mos e takojë kurrë Jezu Krishtin, apo të takojë shpërfytyrimin e tij."
Qëndrimi ndaj homoseksualëve
Nga brohoritjet e fuqishme dhe nga moria e të rinjve Benedikti nuk verbohet. Ai e di se shumë të rinj në Madrid festojnë papën dhe kishën, por së brendshmi janë larguar nga shumë pjesë të moralit dhe doktrinës katolike. Për sa i përket lidhjeve homoseksuale, për shembull, Steffi nga qyteti bavarez Weilheim nuk pajtohet me Benediktin dhe ndjehet e sulmuar padrejtësisht nga kritikët Papës në Madrid: "Ky është fundja mendimi i Papës dhe jo i neve katolikëve. Ne jemi një brez krejt tjetër. Dhe mua më duket qesharake, që na fyejnë, sepse ne nuk jemi papa.”
Pjesëmarrje e madhe
Më shumë se 16 000 të rinj nga Gjermania kanë marrë pjesë në Ditën Botërore të Rinisë në Madrid. Për përfaqësuesin e të rinjve të Konferencës së Peshkopëve gjermane, ndihmësipeshkvin e Mynihut, Bernard Haßlberger, fjala këtu është për të jetuarit e e frymës së bashkësisë mbarëbotërore.
"Që ata të ndjejnë: Kisha është universale dhe gjithashtu e re, te ne në komunitetet tona ata shpesh gjejnë të kundërtën."
Çfarë mbetet pas kësaj dite Botërore të Rinisë, është thirrja e Papës, që ta përçojnë më tej përvojën e Madridit. Të rinjtë duhet, thotë Benedikti, të jenë dishepuj dhe misionarë të Krishtit ".
"Besoni te Krishti gjithë jetën tuaj, dhe të ndihmoni miqtë tuaj, që edhe ata të mbërrijnë tek burimi i jetës, me Zotin.”
Aktivitet me karakter spanjoll
Kjo ishte një nga fjalitë e pakta, që Benedikti tha në gjuhën e tij amtare. Ditët botërore rinore të zhvilluara në Madrid, kishin karakter shumë spanjoll. Të gjitha predikimet dhe fjalimet Papa i mbajti në gjuhën e vendit, jo si në takimet e kaluara, ku ai ka folur zakonisht në anglisht dhe frëngjisht.
Gjuha e Ditës së ardhshme Botërore të Rinisë do të jetë portugalisht. Ato do të mbahen në vitin 2013 në Rio de Janeiro ne Brazil. Këtë Papa Benedikti XVI. e bëri të ditur në fund të shërbesës fetare.
Autor: Tilmann Kleinjung/Angjelina Verbica
Redaktor: Pandeli Pani