Problemet e Gjermanisë me mungesën e fuqisë punëtore
28 Dhjetor 2021Sipërmarrjet gjermane së shpejti mund të kenë mungesë të miliona punëtorëve. Agjencia Federale e Punësimit dëshiron të marrë kundërmasa mbi të gjitha me trajnime të mëtejshme. Askush nuk duhet të humbasë nga jeta e punës, thotë kreu i autoriteteve të Nurembergut.
Në luftën kundër mungesës së madhe të punëtorëve të kualifikuar në tregun gjerman të punës, ekspertët thonë se sa më shumë njerëz duhet të vazhdojnë të punojnë – përfshirë edhe ata me më pak kualifikime. "Është e rëndësishme që të fitojmë sa më shumë punëtorë potencial në Gjermani dhe të mos humbasim askënd”, tha kryetari i Agjencisë Federale të Punësimit, Detlef Scheele. Në të ardhmen, do të hapen po aq vende të reja pune sa do të eliminohen si pasojë e procesit të automatizimit dhe transformimit - por punëtorët duhet të kenë një profil tjetër.
Trajnimet e mëtejshme
Personat që janë të kërcënuar nga papunësia për shkak të ristrukturimit të ekonomisë mund të humbasin vendet e punës, por kjo fuqi punëtore duhet të ruhet dhe të rikualifikohet për punë të tjera. "Duhet t'i trajnojmë”, theksoi Scheele. Agjencia Federale ka një fond prej rreth 900 milionë eurosh për programe të trajnimit të mëtejshëm të punonjësve për vitin 2022. "Ato para duhet të përdoren për të përballuar ndryshimet strukturore, transformimin e ekonomisë dhe për të mbajtur njerëzit në punë", tha Scheele.
Në radhë të parë punëdhënësit janë ata që duhet të reagojnë dhe të veprojnë, sepse ata duhet të përcaktojnë se në ç'drejtim duhet të rikualifikohet fuqia punëtore. Agjencia Federale e sheh veten në dhjetë vitet e ardhshme si një lloj moderatori në këtë proces. "Si mund të kalohet nga kompania A në kompaninë B", tha Scheele, duke përshkruar problemin me të cilin ata duhet të merren. Tashmë janë bërë edhe projektet pilot për fusha të ndryshme, në industri dhe zeje. "Ne po mësojmë të jemi qendra e transformimit", tha Scheele.
Numri i personave ekonomikisht aktivë në Gjermani që janë subjekt i kontributeve të sigurimeve shoqërore është tashmë në një nivel rekord me 34.3 milionë. Agjencia Federale e Punësimit supozon se - nëse nuk ndërmerret asgjë - deri në vitin 2035 Gjermania do të ketë një mungesë prej shtatë milionë punëtorësh.
Kërkimi i fuqisë punëtore në vendet e tjera
Kjo është arsyeja pse Gjermania ka nevojë të sjellë fuqi punëtore të kualifikuar nga vendet e Bashkimit Evropian, por edhe vendet jashtë BE-së - që tani vijnë infermierë dhe punonjës që kujdesen për të moshuarit nga vendet si Kolumbia, Meksika ose Indonezia. Gjermanisë i duhen urgjentisht këta punonjës që vijnë nga BE-ja dhe nga vendet e treta. Nëse nuk do të vinin në numër të mjaftueshëm, Gjermania mund të përballet me vështirësi në rritjen ekonomike. Mungesa e ardhjes së të huajvemund të frenojë rritjen ekonomike.
Përveç kësaj, duhen bërë përpjekje për të rikthyer në procesin e punës të paktën disa nga rreth një milion të papunë afatgjatë në Gjermani. Një hap i duhur në këtë drejtim është edhe pjesa e Marrëveshjes së Koalicionit ku parashikohen ndryshime në këtë fushë, tha Scheele. Këtu mund të ndihmojnë edhe subvencionet e konsiderueshme për punësimin e të papunëve afatgjatë.
Kërkohen më pak taksa për punëtorët e huaj të kualifikuar
Kryetari i Dhomës për tregti të jashtme, Dirk Jandura, i ka kërkuar qeverisë federale të ulë përkohësisht barrën tatimore për punëtorët e huaj të kualifikuar që vijnë në Gjermani. "Unë mund të imagjinoja që për ta bërë Gjermaninë tërheqëse për ta, punëtorëve të kualifikuar t'u jepej një ulje e tatimeve për dy ose tre vitet e para si një lloj nxitje për ardhje këtu", tha Jandura për gazetën Rheinische Post.
Mungesa e punëtorëve të kualifikuar është që sot një disavantazh vendimtar ndaj konkurrencës. Prandaj, qeveria federale duhet të rrisë shpejt atraktivitetin dhe të bëjë një politikë më të përshtatshme ndaj imigrantëve. Për të janë shumë të paqarta formulimet në marrëveshjen e koalicionit. "Unë do të doja një qasje sistematike me rregulla të qarta si kristali, se kush duhet të vijë tek ne, me çfarë kualifikimesh profesionale dhe cilat do të jenë stimulimet e përshtatshme për këta njerëz. Beteja globale për kokat më të mençura ka nisur prej kohësh. Ne po rrezikojmë të humbim këtë betejë".
Sindikatat - trajnimet janë tepër të rëndësishme
Nuk ka dyshim se përgatitja e mëtejshme profesionale duhet të jetë një fushë thelbësore e ndryshimit strukturor. Por kush duhet të jetë përgjegjës për të? Sindikatat e shohin qeverinë si përgjegjëse. Ajo duhet të mbështesë punonjësit në ndryshime strukturore, për shembull me të drejtën për kualifikim dhe mësim, thotë shefi e DGB-së, Reiner Hoffmann.
Kryetari i Shoqatës së punëdhënësve Rainer Dulger, nga ana tjetër, thotë: "Kompanitë nuk kanë nevojë për rregulla burokratike të pakoordinuara ligjore". Trajnimet janë "e nesërmja" e sipërmarrjeve dhe fuqia punëtore duhet të jetë sa më fleksibël. "Kompanitë dhe punonjësit e tyre mund të vendosin më së miri për opsionet individuale dhe kushtet që kërkohen."
Trajnimi i mëtejshëm është një nga sfidat që sjell ndryshimi strukturor, tha Dulger. "Ne kemi nevojë për një revolucion të mëtejshëm arsimor - ai duhet të ndodhë dhe do të ndodhë në kompani." Dugler mendon se shuma prej rreth 41 miliardë eurosh që kompanitë tashmë kanë investuar në trajnime të mëtejshme do të vazhdojë të rritet.
bc/iw/hb (dpa, rtr)