IAEA Stichwort
26 Mars 2009IAEA (International Atomic Energy Agency) u themelua në vitin 1957 me nismën e SHBA-së. Arsyeja për këtë ishte shqetësimi mbarëbotëror për përhapjen gjithnjë e më të madhe të armëve atomike. Ky institucion e ka selinë në Vjenë dhe në të punojnë aktualisht rreth 2 200 bashkëpunëtorë nga 90 vende të botës.
Zyra Ndërkombëtarë për Energjinë Atomikë është një organizatë autonome tekniko - shkencore, e cila ka një status të posaçëm brenda sistemit të OKB-së. Ky institucion duhet, që të nxisë përdorimin paqësor të energjisë bërthamore dhe përdorimin e lëndëve radioaktive, si dhe bashkëpunimin ndërkombëtar duke penguar njëkohësisht përdorimin ushtarak të kësaj teknologjie, për shembull për përhapjen e armëve bërthamore përmes masave mbikqyrëse.
Po ashtu, IAEA-ja mbikqyr edhe respektimin e marrëveshjes për ndalimin e armëve atomike, që ka hyrë në fuqi në vitin 1970, e cila synon para së gjithash nxitjen e përdorimit paqësor të energjisë atomike. Konkretisht, Zyra Ndërkombëtarë për Energjinë Atomike zhvillon programe për përmirësimin e sigurisë së impianteve atomike, duke ofruar një forum për vendosjen e standarteve ndërkombëtare në këtë sektor. Ajo nxit marrjen e masave fizike për mbrojtjen e materialeve radioaktive ndaj shpërdorimit, për shembull kontrabandës me lëndë bërthamore. Përveç kësaj IAEA-ja kontrollon edhe përdorimin dhe vendin, ku mbeten materialet radioaktive në shtetet me të cilat ka nënshkruar marrëveshje.
Kjo i shërben sigurimit që energjia atomike përdoret vetëm për qëllime paqësore. Zyra ndërkombëtare për Energjinë Atomike në Vjenë, i raporton rregullisht Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së si dhe Këshillit të Sigurimit në ato raste kur konstaton ndonjë rrezik për sigurinë botërore. Organizmi më i rëndësishëm i saj është Këshilli 35 anëtarësh i guvernatorëve, i cili mblidhet deri në pesë herë në vit.
Asambleja e Përgjithshme në të cilën marrin pjesë të gjitha, aktualisht 144 vendet anëtare mblidhet një herë në vit. Në vitet e fundit IAEA-ja ishte në qendër të opinionit botëror sidomos për shkak të misionit të saj në Irak, përpara fillimit të luftës në vitin 2003 si dhe për punën e saj në Korenë e Veriut dhe në Iran. Për aktivitetin e saj Zyra e OKB-së për Energjinë Bërthamore si dhe drejtori i saj i përgjithshëm Mohamed El Baradei, u nderuan në vitin 2005 me Çmimin Nobel të paqes.
Autor: Sonila Harasani / Dr. Pandeli Pani
Redaktoi: Aida Cama