Rolling Stones - Mit edhe në Lindje të Murit të Berlinit
15 Korrik 2012"Wuschel nuk shkonte në shkollën e baletit. Shkolla nuk i interesonte. Wuschel-it nuk i interesonte gjë tjetër përveç muzikës. Dhe muzika i interesonte vetëm kur kishte të bënte me Rolling Stones. Ndërkohë që të tjerët shkonin në shkollë ai përpiqej të gjente Exile on Main Street, albumin e 72-të dopjo të Rolling Stones."
Wuschel është një nga heronjtë e romanit "Në fund të rrugës Sonnenallee“, botuar në vitin 1999. Autori Thomas Brussig përshkruan në libër jetën e përditshme të një grupi të rinjsh në Republikën Demokratike Gjermane (RDGJ) të viteve 70-të. Muzika e padëshiruar nga Perëndimi ishte zyrtarisht e ndaluar, pllakat e gramafonit mund të bliheshin vetëm me çmime shumë të larta në tregun e zi. Muzika ishte shumë e preferuar nga të rinjtë. Por muzika "Beat" ishte vlerësuar zyrtarisht si "subversive", pushtetarët në RDGJ kishin frikë nga ndikimi rebelues i Rock 'n'Roll. Walter Ulbricht, kryetar i Komitetit Qendror nga 1950 deri në 1971 dhe politikani më i pushtetshëm në RDGJ thoshte kështu: "A duhet të kopjojmë çdo gjë që vjen nga Perëndimi? Unë mendoj, shokë se i duhet dhënë fund monotonisë Je-Je-Je, ose gjërave të ngjashme."
"Rolling Stones" vetëm për t'u dëgjuar në Perëndim
Moderatori i Radios Günther Schneidewind, i lindur në vitin 1953, është rritur me këtë "Je - je - je“. Ai ka qenë moderator në programin për të rinj në RDGJ, "DT64", në të cilin nganjëherë transmetohej muzikë perëndimore, megjithëse jo çdo lloj muzike. Deri në vitin 1982 Rolling Stones bënin pjesë në muzikën zyrtarisht të ndaluar. Mundësia e vetme për të dëgjuar këtë grup ishte ndjekja fshehurazi dhe regjistrimi i emisioneve perëndimore. "Stones kishin flokë të gjata, bënin muzikë me zë të lartë dhe fitonin me të shumë parë, kështu që ishte e qartë se ata idealizoheshin prej të rinjve," thotë Schneideswind. "Idealet e rinisë në RDGJ duhet të ishin morali dhe etika socialiste, të cilat vareshin në çdo klasë. Kjo ishte krejt ndryshe nga ajo që prodhonin Stones. Tek ta shihej një rrezik i vërtetë që mund të rebelonte të rinjtë."
Në fakt Stones patën ndikimin e tyre. Shumë të rinj në RDGJ mahniteshin nga mënyra se si shfaqeshin Jagger, Richards dhe Co.. "Ata nxitën një frymë optimizmi të paparë në periudhën e pasluftës. Gjërat që predikoheshin në shkollat dhe organizmat shtetërore, u hodhën përtej," kujton Schneidewind. Në vitin 1968, vitin e trazirave studentore në SHBA dhe Evropën Perëndimore, tekstet e Rolling Stones filluan të bëhen gjithnjë e më politike. Shembulli më i mirë është kënga "Street fighting man", në të cilin grupi distancohet nga dhuna dhe shkruan këtë tekst "What can a poor boy do, except to sing for a rock 'n' roll band" - çfarë mbetet tjetër për të bërë veç të kënduarit në një grup? "Edhe kjo u dënua nga sundimtarët e RDGJ-së", thotë Schneidewind. "Revolucioni botëror do të realizohej me armë në dorë, mendohej në RDGJ! Kështu që Stones apo Beatles u quajtën pacifistë dhe "kjo nuk përputhet me pikëpamjet tona, kjo është armike e ideologjisë sonë, pikë."
Një thashethem me pasoja
Në vitin 1969 në Berlinin Lindor u përhap lajmi se me rastin e 20 vjetorit të RDGJ-së, Rolling Stones do të luanin më 7 tetor 1969 në një gradacelë të Shtëpisë Botuese Springer në Berlinin Perëndimor, jo larg Murit. Ideja nuk ishte krejt absurde. Disa muaj më parë Beatles kishin dhënë një koncert në tarracën e ndërtesës, ku ndodhej firma e regjistrimit në qendër të Londrës duke shkaktuar kaos në rrugë. Kështu që qindra tifozë të Stones nga RDGJ shkuan më 7 tetor tek Muri me idenë për të parë idhujt e tyre. Edhe policia popullore në RDGJ u vu në lëvizje, duke rrethuar zonën me kufirin. Vetë Rolling Stones-at nuk dinin gjë për koncertin. "Data e koncertit" ishte sajuar nga një redaktor i programit të radios berlinezo- perëndimore "RIAS", një shaka, e cila kishte shkaktuar një dinamikë të madhe tek dëgjuesit në pjesën lindore të qytetit.
Sinjali ishte i qartë: Në RDGJ ekzistonin tifozë të Rock n'Roll-it , që nuk donin të fshiheshin. Me kalimin e viteve rregullat për muzikën që vinte nga Perëndimi filluan të lehtësohëshin. Në vitin 1982 u publikua madje një pllakë gramafoni me këngë të zgjedhura të Rolling Stones-ave nga firma popullore AMIGA. Në gusht të 1990, tashmë pas "kthesës", erdhi dita. Më 13 gusht, ditën historike të ndërtimit të Murit, Rolling Stones dhanë koncertin e tyre të parë dhe të vetëm në RDGJ. "Ky ishte natyrisht edhe një sinjal, që thoshte se zhvillimet politike ishin të pakthyeshme. Kur edhe Rolling Stones arritën të depërtonin në RDGJ, atëherë rrota e historisë nuk mund të kthehet më", thotë Schneidewind duke përshkruar atmosferën e atëhershme.