Rruga e Re e Mëndafshit në Itali: "Ne ishim vetëm kukulla"
22 Gusht 2023Maurizio Rasero, kryetari i qytetit të Asti në Piemonte, ka plane të mëdha. Asti nënshkroi një marrëveshje binjakëzimi me komunën kineze Nanyang në maj dhe menjëherë pas ceremonisë, delegacioni vizitoi dhomën e tregtisë.
Në fund të korrikut, Rasero dha një intervistë për China Media Group, në të cilën ai vlerësoi tej mase Republikën Popullore: "Nga këndvështrimi im, Kina ka dëshmuar ndër vite se ka kontribuar për të sjellë stabilitet në botë, se është një partner serioz dhe i besueshëm pa të cilin bota nuk mund të bëjë më”.
Asti është gjithashtu në kontakt me grupin publik të telekomunikacionit China Telecom. China Telecom është klasifikuar si një rrezik i sigurisë kombëtare në SHBA.
Në Itali, hapja e qytetit të Astit, i cili ka afro 74 mijë banorë, për grupet kineze të teknologjisë po tërheq vetëm vëmendjen e mediave rajonale. Sipas profesoreshës së ekonomisë dhe specialistes së Kinës Alessia Amighini, kjo është plotësisht në përputhje me kinezët: askush nuk mund të kritikojë apo bllokojë bashkëpunimin. Amighini flet për "Kinën e re", që do të thotë: "Pak miq, heshtje, vazhdoj. Nëse nuk më kapin, do t'ia dalim. Por nëse e marrin vesh, kam mbaruar".
"Ne ishim dhurata për Pekinin"
Euforia kineze e vitit 2019 ka rënë. Në atë kohë, disa anëtarë të qeverisë italiane të "Pesë Yjeve” dhe të Lidhjes e vlerësuan marrëveshjen e nënshkruar mes dy vendeve në mars të atij viti, me të cilën Italia iu bashkua projektit të "Rrugëve të reja të mëndafshit”.
Ai do t'i jepte Italisë fuqi të re ekonomike, nëpërmjet përfshirjes më të madhe kineze dhe më shumë mundësi eksporti për kompanitë italiane. Por memorandumi nuk bëri asgjë për Italinë, beson Amighini: Italia vazhdon të importojë më shumë mallra nga Kina sesa anasjelltas.
Mbi të gjitha, kontrata kishte një rëndësi të madhe strategjike për presidentin kinez Xi Jinping. Sepse për të ishte shumë e rëndësishme t'i tregonte Uashingtonit se Italia po nënshkruante. "Ishte e gjitha vetëm një lojë, në të cilën ne ishim kukulla, dhe dy lojtarët ishin në fakt Uashingtoni dhe Pekini” – kështu shprehet profesoresha e ekonomisë. "Dhe ne ishim dhurata për Pekinin për t'ia treguar atë Uashingtonit."
Vendimi para dhjetorit
Tre qeveri më vonë, rryma politike ka ndryshuar në Itali. Kryeministrja Giorgia Meloni po ndjek një kurs të favorshëm për Shtetet e Bashkuara në politikën e jashtme. Që gjatë fushatës zgjedhore, kjo 46-vjeçare kishte deklaruar vazhdimisht se nuk do të mbështeste Marrëveshjen e Rrugëve të Mëndafshit.
Pas vizitës së saj të parë në Shtëpinë e Bardhë në fund të korrikut, ajo dha një intervistë për Fox News. Para dhjetorit, Italia do të vendosë për një dalje të mundshme, tha ajo, por ajo e bëri të qartë se ishte kritike ndaj sistemit kinez, në të cilin kompanitë kanë një rol shumë të ndryshëm nga ai i Italisë. "Kompanitë tona nuk duhet t'ia dorëzojnë të dhënat qeverisë nëse qeveria i kërkon. Dhe kjo është ajo që bën dallimin."
Sipas kryetarit të partisë "Fratelli d'Italia”, tregtia botërore mund të jetë e lirë vetëm nëse është e drejtë edhe për të gjitha palët e përfshira. "Por atëherë, duhet të kemi parasysh se ne po krijojmë probleme të mëdha për ekonominë tonë nëse tregtojmë me dikë që nuk thotë: "Ndiq të njëjtat rregulla!” dhe kush nuk ka të njëjtat standarde”, tha Meloni.
"Ata nuk e kanë me ngut"
Nëse Italia vendos një vijë në këtë aferë, reagimet e Kinës mund të jenë të ashpra. Për këtë janë të bindur edhe politikanët edhe ekspertët. Amighini, nga qendra aziatike e institutit milanez ISPI, beson se kinezët duhet të bëjnë diçka. Në një mënyrë apo tjetër, ata duhet të tregojnë "se ne i vuajmë pasojat negative”, mendon ajo. Nuk dihet ende saktësisht se si.
Qeveria italiane është në çdo rast tashmë në dilemë. Nëse memorandumi do të përfundonte në vitin 2024, kjo nuk do ta pengonte Kinën të zgjeronte ndikimin e saj politik.
Qytetet si Asti - jo shumë larg portit të rëndësishëm të Xhenovas - janë zgjedhur në mënyrë perfekte, beson Amighini: me një qytet inteligjent dhe me të ashtuquajturit përsëritës, amplifikues sinjalesh, mund të kapen informacione të rëndësishme strategjike. Sipas ekonomistes, kinezët i lënë vetes kohë për të arritur qëllimin e tyre: "Gjëja më e rëndësishme është të ecin përpara. Kështu që ata nuk e kanë me ngut".
E. Pongratz (ARD)