1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rusia dhe BE: Sarkozi udhëton për bisedime politike në Moskë

Brita Klajman8 Shtator 2008

Kryesuesi i rradhës së presidencës së BE-së, presidenti francez Sarkozi udhëton sot për në Moskë ku do të takohet me homologun e tij rus Medvjedev. Temë qendrore e takimit pritet të jetë konflikti i Kaukazit.

https://p.dw.com/p/FDSS
Presidenti francez, Nikola Sarkozi
Presidenti francez, Nikola SarkoziFotografi: AP

Kjo është edhe një përpjekje tjetër që Rusisë t'i bëhet i qartë qëndrimi i Bashkimit Evropian ndaj konfliktit në Kaukaz. Javën e kaluar presidentët dhe kryeministrat e vendeve anëtare të BE-së, në një takim të jashtëzakonshëm arritën të bashkohen rreth një qëndrimi për këtë çështje. Tani për tani nuk do të ketë sanksione kundër Rusisë. Përkundër konfliktit rreth krizës në Gjeorgji do të vazhdohen bisedimet me Moskën - për këtë ishin të një mendimi shumica e përfaqësuesëve të 27 vendeve anëtare të BE-së. Kështu u shpreh shefi i diplomacisë evropiane Havier Solana të martën në Bruksel: "Mendoj se ne kemi zgjedhur drejtimin e duhur. Rrugët e komunikimit me Rusinë mbeten të hapura. Eshtë një vend i rëndësishëm. Dhe unë shpresoj që diskutimet me Moskën do të na lejojnë që ta vazhdojmë bashkëpunimin", tha Solana.

Havier Solana do ta shoqërojë presidentin Sarkozi në Moskë. Përveç tij, i pranishëm do të jetë edhe presidenti i Komisionit Evropian, Zhoze Manuel Barozo. Bashkarisht ata do të njoftojnë palën ruse mbi qëndrimin evropian ndaj konfliktit mes Rusisë dhe Gjeorgjisë. Presidenti Sarkozi ka sqaruar që një samitin e jashtëzakonshëm në Bruksel se si duket ky qëndrim: "Sjellja ruse me një aksion ushtarak disproporcional kundër Gjeorgjisë dhe me njohjen e pavarësisë së rajoneve gjeorgjiane të Abkazisë dhe Osetisë Jugore ka shkaktuar shqetësime në Evropë. Një kthim në politikën e sferave të ndikimit nuk është e pranueshme", tha Sarkozia.

Gjatë vizitës së tyre në Moskë përfaqësuesit evropianë do të kërkojnë nga presidenti rus Dimitri Medvjedev që të tërheqë të gjitha trupat ruse nga Gjeorgjia. Kjo ishte edhe kërkesa e të ashtuquajturit planit gjashtëpikësh për zgjidhjen e krizës së Kaukazit, për të cilin kanë rënë dakord palët në konflikt nën ndërmjetësimin e presidentit Sarkozi.

Zhvillimet e ardhshme në konfliktin mes Rusisë dhe Gjeorgjisë do të përcaktojnë marrdhëniet e ardhshme në mes të Bashkimit Evropian dhe Rusisë. Për aq kohë sa trupat ruse do të jenë në Gjeorgji nuk do të ketë as negociata të reja për një marrëveshje të re partneriteti me Moskën. Megjithatë përfaqësuesit e BE-së besojnë se tek pala ruse ekziston një dozë gatishmërie për kompromis. Deri në takimin e radhës BE-Rusi kanë mbetur edhe disa muaj kohë - ai është paraparë të mbahet me 14 nëntor, në Nisë të Francës.