Rusia kufizon furnizimin me gaz përmes Nord Stream 1
25 Korrik 2022Duke filluar nga data 27 korrik kompania shtetërore ruse Gazprom do t'i kufizojë edhe më shumë dërgesat e gazit përmes gazsjellësit Nord Stream 1. Kompania njoftoi se duhej të nxjerrë jashtë funksionit për arsye mirëmbajtjeje një turbinë tjetër dhe prandaj furnizimet me gaz do të reduktohen në 33 milionë metra kub në ditë, nga më shumë se 160 milionë metër kub që është kapaciteti i plotë. Kjo korrespondon vetëm me një 20 përqind të gazit që dërgohej deri tani.
Shefi i Kremlinit Vladimir Putin kishte kërcënuar javën e kaluar se mund të ketë ndërprerje të mëtejshme të furnizimit me gaz përmes Nord Stream 1 rreth datës 26 korrik. Ai tha se shkak për këtë janë turbinat që përdorur kompania ruse e energjisë Gazprom. Nëse një turbinë e cila është dërguar për riparim në Kanada nuk do të jetë përsëri në dispozicion në kohë, do të ketë reduktime të sasisë së gazit.
Komisioni Evropian kërkon reduktimin e konsumit të gazit natyror
Komisioni Evropian u ka kërkuar ndër kohë vendeve të BE-së që të ulin me 15% konsumin e tyre për gaz natyror gjatë muajve të ardhshëm të dimrit dhe t'i japin fuqi të posaçme për të imponuar shkurtimet e nevojshme të kërkesës nëse Rusia ndërpret furnizimin me gaz.
"Rusia po e përdor energjinë si armë dhe kështu në çdo rast, qoftë për një mbyllje të pjesshme të gazit rus apo për një mbyllje të plotë. Evropa duhet të jetë gati," tha Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Evropian.