Rusia kërkon garanci të qarta sigurie nga Perëndimi
18 Dhjetor 2021Në kulmin e tensioneve me Ukrainën Rusia i ka paraqitur disa kërkesa SHBA-së dhe NATO-s. Qeveria në Mosë publikoi projektet për dy marrëveshje me qëllim që të ndalohet zgjerimi në lindje i aleancës si dhe krijimi i bazave mbrojtëse ushtarake të SHBA-së në shtetet e ish-Bashkimit Sovjetik. Sfondi ka të bëjë me frikën e Perëndimit, se forcat ruse mund të ndërhyjnë në Ukrainë.
Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergej Rjabkov tha, se SHBA duhet ta vlerësojnë me seriozitet nismën e qeverisë së tij. Qeveria ruse nuk është e gatshme ta pranojë gjatë situatën e krijuar. Rusia dhe Perëndimi duhet t'i rikonceptojnë raportet mes tyre. Qeveria e tij është e gatshme të negociojë menjëherë në një vend neutral me SHBA-në, tha zëvendësministri rus. Uashingtonit i është propozuar një takim në Gjenevë. Eshtë vendimtare, që garancitë për sigurinë të kërkuara nga Rusia të kenë „efekt ligjor", theksoi Rjabkov.
Reagim i ftohtë nga Uashingtoni
Qeveria e SHBA parimisht është shprehur e gatshme për dialog, por njëkohësisht hodhi poshtë në mënyrë strikte kërkesat e Rusisë. "Ne jemi të gatshëm, të bisedojmë për këtë", tha një përfaqësuese e qeverisë së SHBA-së. Udhëheqja në Moskë megjithatë e di, se disa nga kërkesat e saj janë të „papranueshme". SHBA pas konsultimeve me aleatët e tyre në BE „javën e ardhshme do të përgjigjen me një propozim konkret".
Zëdhënësja e presidentit të SHBA-së, Joe Biden, Jen Psaki, bëri të qartë ndërkaq, se: "Nuk do të ketë bisedime për sigurinë e Europës pa aleatët e partnerët tanë europianë." Psaki shtoi: "Ne nuk do t'i vemë në pikëpyetje parimet themelore, mbi të cilat është konceptuar siguria europiane, përfshi edhe të drejtën e të gjitha vendeve, për të vendosur për të ardhmen e tyre pa u influencuar nga jashtë."
Në projektin për marrëveshjen e sigurisë me SHBA-në, Rusia kërkon nga qeveria në Uashington që të pengojë anëtarësimin e ish-republikave sovjetike në NATO. Moska kërkon gjithashtu nga SHBA-ja premtimin, se nuk do të ndërtohen baza mbrojtëse ushtarake ne ish-republikat sovjetike, që nuk janë pjesë e NATO-s. Sipas dëshirës së Rusisë, SHBA duhet të heqin dorë nga çdo lloj bashkëpunimi ushtarak me këto vende. Gjatë angazhimit ushtarak në Afganistan bazat mbrojtëse në ish-republikat sovjetike UIzbekistan dhe Kirgistan kanë luajtur një rol qendror për SHBA-në.
Në sfondin e lëvizjeve masive të trupave ruse në kufirin me Ukrainënpo shtohen shqetësimet, se Moska mund ta sulmojë vendin fqinj. Vendet e grupit G7 dhe BE-ja e kërcënojnë Rusinë nëse ndërmerr një hap të tillë me „pasoja masive". Në të kundërt Kremlini akuzon Ukrainën, se po armatoset prej Perëndimit dhe po tenton manovrën ushtarake të NATO-s në afërsi të kufirit me Rusinë.
Rusia javën e kaluar kërkoi, që NATO ta pezullojë perspektivën e anëtarësimit për Ukrainën dhe Gjeorgjinë. Një anëtarësim i këtyre dy vendeve në NATO as që shtrohet për diskutim, veçanërisht Ukraina bashkëpunon ngushtë me Perëndimin, kryesisht me SHBA-në.
Të martën (14.12) presidenti rus Putin I bëri thirrje NATO-s dhe SHBA-së për bisedime "të menjëhershme” lidhur me „garancitë ligjore për vendin tonë". Duhet të përjashtohet, sipas Putinit, një zgjerim i aleancës ushtarake në Lindje si dhe dislokimi i sistemeve të armatimeve në Ukrainë dhe në vende të tjera fqinjë të Rusisë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg të enjten (16.12) i hodhi poshtë kategorikisht kërkesat e Rusisë, për përjashtimin e anëtarësimit të Ukrainës në aleancë dhe theksoi një partneritet të ngushtë me Kievin.
kle/jj (afp, rtr, dpa)