1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rusia ndërpret furnizimin e Gjermanisë me gaz

31 Gusht 2022

Rusia ka mbyllur sërish tubatcionet për furnizimin e Gjermanisë me gaz. Për tre ditë dhe për nevoja riparimesh, siç thonë ata. Por a do të hapet prapë Nord Stream 1.?

https://p.dw.com/p/4GGPf
Symbolbild Gas
Fotografi: Janek Skarzynski/AFP/Getty Images

Tani është e qartë: Furnizimi i Gjermanisë me gaz rus përmes tubacionit Nord Stream 1 u ndërpre herët në mëngjes të së mërkurës. Sipas faqes së internetit Nord Stream AG, asnjë sasi e konsiderueshme e gazit nuk ka rrjedhur pas orës tre të mëngjesit.

Sipas Gazpromit, turbina e vetme e mbetur në stacionin e kompresorit Portovaya, e cila është në rrjedhën e sipërme të tubacionit, ka nevojë për mirëmbajtje. Kreu i Agjencisë Federale të Rrjetit, Klaus Müller, nga ana tjetër, e konsideron teknikisht të pakuptueshme këtë punë. Rusia më parë pohonte se mungojnë turbinat e nevojshme, ndërsa autoritetet gjermane kanë bërë të ditur se turbinat janë siguruar prej kohësh. Kohët e fundit, vetëm rreth 20 përqind e sasisë maksimale të mundshme ka kaluar përmes tubacionit. Edhe qeveria federale dyshon në sinqeritetin e autoriteteve ruse, e cila me këtë shpjegim mund të mbyllë totalisht kalimin e gazit në Nord Stream 1.

A do të rihapen tubacionet?

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov përsëriti të martën se Rusia është një furnizues i besueshëm dhe i gatshëm për të përmbushur detyrimet e saj. Ai justifikoi ndërprerjet aktuale të furnizimit me probleme teknike që Perëndimi i shkaktoi vetes nëpërmjet sanksioneve të tij. Ai mohoi të ketë pasur ndonjë sfond politik si shkas për këtë hap. Sipas pohimeve ruse, gazi do të fillojë të kalojë rishtas përmes tubacioneve nga 3 shtatori.

Pas mbylljes së fundit për mirëmbajtje në korrik, Gazpromi rifilloi me dërgimin e gazit. Mediumi i pavarur i internetit The Bell shpjegoi se Kremlini nuk është fleksibël me kërcënimet. Në rast të ndalimit të gazit, Rusia më nuk ka asnjë potencial për kërcënime ndaj Gjermanisë. Përveç kësaj, izolimi i plotë nga tregu evropian do të dëmtonte rëndë buxhetin rus.

Moska është aktualisht në pozicion komod, sepse përfiton më shumë nga eksportet financiarisht, pavarësisht vëllimeve më të ulëta të dërgesave, për shkak të çmimeve të larta të gazit në treg. Sipas deklaratave të veta, kompania ruse e gazit e kontrolluar nga shteti Gazprom bëri fitime rekord në gjysmën e parë të vitit, pavarësisht sanksioneve perëndimore për shkak të luftës në Ukrainë. Pala ruse njoftoi të martën se kompania ka shënuar një rezultat pozitiv me 2,5 trilion rubla (që është rreth 41.6 miliardë euro).

Großbritannien Ölmulti BP
Fotografi: BEN STANSALL/AFP/Getty Images

Një arsye tjetër që flet për rifillimin e dërgimit të gazit - të paktën në një masë të kufizuar - është se Gazpromi do të detyrohej të pushonte me punë dhe të siguronte ruajtjen e kapaciteteve prodhuese. Një orientim në shkallë të gjerë i rrjedhave të gazit rus drejt Azisë nuk është i mundur, pasi sistemi i tubacioneve në këtë drejtim nuk është i mirë. Nga 720 miliardë metra kub që prodhon Rusia, 200 eksportohen, prej tyre 130 shkojnë në vendet e BE. Kina, nga ana tjetër, po blen vetëm dhjetë miliardë metra kub, ndonëse shitjet në këtë drejtim po shtohen. Kjo është një nga arsyet pse Rusia po detyrohet të ndezë sasitë e mbetura të gazit që nuk mund t'i dërgojë në Evropë.

Symbolbild Gas Logo Gazprom
Fotografi: Olga Maltseva/AFP/Getty Images

Gazpromi nuk ka saktësuar nëse edhe në të ardhmen do të ketë ndalime të gazit drejt Gjermanisë. Por thuhet se turbina e fundit e mbetur në stacionin Portovaya duhet të riparohet çdo 1000 orë pune, që do të thotë se kontrolli tjetër teknik do të jetë nga mesi i tetorit.

Çfarë do të thotë kjo për Gjermaninë?

Operatorët e magazinimit thonë se Gjermania do të jetë në gjendje të akumulojë gaz edhe pa gazin rus. Shoqata e industrisë  për magazinimin e energjisë INES dhe autoritete të tjera bëjnë të ditur se ndërkohë mbi 83% e rezervuarëve gjermanë janë të mbushur me gaz. Së shpejti kjo shifër do të kalojë edhe 85 %, sa ishte planifikuar të arrihet deri me 1 tetor. Ndërsa për një dimër pak a shumë të qetë pritet që deri me 1 nëntor të mbushen mbi 95% e rezervave. Shoqata e quan këtë si një synim "sfidues". "Do të jetë pak më vështirë për të arritur këtë qëllim nëse mbyllet Nord Stream 1", thotë drejtori menaxhues i Shoqatës Sebastian Bleschke.

Çmimet

Eksperti i tregut të gazit Heiko Lohmann nuk pret që puna e mirëmbajtjes të ketë një ndikim të madh tek çmimet. Kur u njoftua se do të ketë punime teknike, çmimet e gazit u rritën. Ndaj këto çmime tani më janë kalkuluar. "Pyetja është se çfarë do të ndodhë pas tre ditëve”, thotë Lohmann. Ai pret që çmimet të rriten nëse dërgesat e gazit rus ndalen përfundimisht. Në anën tjetër, e sheh mundësinë e uljes së çmimeve nëse dërgesat vazhdojnë.

Ndryshe, në maj tubacioni funksiononte gati normalisht. Prej qershorit ka nisur zvogëlimi i vëllimit të gazit të dërguar gradualisht. Nga 17 qershori, janë dërguar vetëm 40 përqind e kapacitetit maksimal. Ndërsa pas punimeve të bërë në tubacion në korrik, sasia e gazit të dërguar ishte 40 përqind për disa ditë. E pas datës 28 korrik është ulur në rreth 20 përqind.

Çfarë parashikojnë kontratat?

Mülheim an der Ruhr Bundeskanzler Scholz bei Siemens Energy Nord-Stream-Gasturbine
Fotografi: Bernd Thissen/dpa/picture alliance

Kompanitë nuk e pëlqejnë të përdorin fjalën "shkelje të kontratave”. Si importuesi më i madh gjerman i gazit natyror rus, kompania Uniper raportoi së fundmi: "Që nga 14 qershori, Uniper ka marrë vetëm një pjesë të vëllimeve kontraktuale të furnizimit të gazit nga Rusia." Ndërkohë që tani dërgohet 80 përqind më pak gaz se sasia e kontraktuar. Ministria Federale e Ekonomisë njofton se: "Kompanitë kanë kontrata me Gazprom për kapacitet të plotë, të cilat aktualisht janë duke u respektuar vetëm në një masë të kufizuar. Nga këndvështrimi ynë, nuk ka asnjë arsye, as teknikisht, të mos përdorni Nord Stream 1 në një kapacitet më të lartë.”

Problemet me turbinat

Në të kaluarën, Rusia e ka përmendur si shkas për zvoglimin e sasive të gazit një turbinë që duhet të vinte nga Kanadaja. Gjermania i kërkoi qeverisë në Otava një përjashtim nga sanksionet kundër Moskës, që ajo edhe pranoi. Turbina ka mbërritur në Mülheim, por Gazprom nuk nxiton për ta instaluar atë dhe fliste për mungesë të dokumenteve. Prandaj, qeveria federale gjermane akuzoi Moskën se këtë turbinë e përdorte vetëm si justifikim.

 

 

 

bc/iw/sth (dpa, afp, rtrs)