Rënia e murit, si simbol i ndryshimeve politike në Evropën Lindore
28 Tetor 2014"Para bashkimit erdhi liria": Kjo fjali e presidentit gjerman Joachim Gauck është thënë vetëm para disa javësh, por bën pjesë në përmbledhjet e citateve të famshme rreth ndryshimeve politike në Evropën Lindore 25 vjet më parë. Gauck u referohet aspiratave për liri në ish-RDGJ dhe bashkimit të mëvonshëm të dy shteteve gjermane. Por fjalia është e vlefshme edhe për zhvillimet në të gjithë ish-bllokun komunist dhe për procesin e integrimit evropian.
Rënia e Murit të Berlinit konsiderohet si pika kulmore e luftës për liri të popujve të Evropës Lindore kundër diktaturës komuniste. Por rruga ishte një luftë e gjatë, shpesh e përgjakur për liri dhe demokraci në të gjitha vendet e kampit komunist. Një kronologji e momenteve themelore të rezistencës ndaj diktaturës dhe kundër plotfuqishmërisë së 'vëllait të madh", Bashkimit Sovjetik:
Berlin, 17 qershor 1953 - Kryengritja Popullore në RDGJ
Fillimisht ajo nisi si një protestë kundër kushteve çnjerëzore të punës dhe mjerimit ekonomik, por demonstratat u shtrinë në mbarë vendin dhe u shndërruan në një kryengritje. Kjo ishte protesta e parë masive antikomuniste në sferën e influencës të Bashkimit Sovjetik. Zgjedhje të lira, shkarkimi i ish-qeverisë së Gjermanisë Lindore nën Walter Ulbricht dhe bashkimi i Gjermanisë së ndarë - këto ishin kërkesat. Ulbricht e shtypi kryengritjen me trupat e Policisë Popullore të Gjermanisë Lindore dhe tanket sovjetike. Perdja e Hekurt mori çarjen e saj të parë të dukshme.
Budapest, 23 tetor 1956 - Kryengritja popullore në Hungari
Edhe në Budapest e gjitha filloi me një demonstratë masive paqësore të studentëve që dolën në Budapest në rrugë për të demonstruar për ndryshime demokratike. Pasi forcat e rendit qëlluan me armë, gjendja u acarua dhe mes ushtarëve dhe protestuesve fillon një luftë të armatosur, që sjell në pushtet qeverinë e Imre Nagy-t. Hungaria del nga Traktati i Varshavës dhe i bën thirrje ushtrisë sovjetike të largohet nga vendi. Mrekullia demokratike e Budapestit nuk zgjati as dhjetë ditë: sepse tanket sovjetike i dhanë fund - ashtu si tre vjet më parë në Berlin Lindor - edhe në Budapest ëndrrës së lirisë dhe të demokracisë. Edhe këtë herë, Perëndimi nuk ndërhyri - nga frika e përshkallëzimit të gjendjes.
Pragë, 21 gusht 1968 - Pushtimi i ish-Çekosllovakisë prej trupave të Traktatit të Varshavës
Plotë e shpresa nisi në vitin 1968 në Çekosllovaki procesi i reformave që ka hyrë në histori si "Pranvera e Pragës". Reformatorët komuniste nën drejtimin e Alexander Dubcekut ndërmorën ndryshime politike dhe ekonomike, u dhanë më shumë liri sindikatave, shfuqizuan censurën e plotfuqishme. "Socializmi me fytyrë njerëzore" i Dubcekut ishte halë në sy për Bashkimin Sovjetik, që kishe shumë frikë prej përhapjes së reformave. Më 21 gusht 1968 trupat e Paktit të Varshavës hynë në Çekosllovaki dhe e shtypën brutalisht "Pranverën e Pragës". Perëndimi nuk ndërhyri. Por pushtimi ushtarak i trupave të Paktit të Varshavës nxori në pah një tjetër çarje në Perden e Hekurt.Nicolae Ceausescu, refuzoi të marrë pjesë në aksion dhe e dënoi publikisht pushtimin në një tubim masiv në Bukuresht. Por shpresat për reforma në Rumani morën fund në vitin 1971: pas një udhëtimi në Kinë dhe Korenë e Veriut Çaushesku nisi një revolucion kulturor sipas modelit të Azisë Lindore. Rezultati: një prej diktaturave më të hidhura, që karakterizohej nga kulti i individit, nepotizmi, korrupsioni, keqadministrim dhe një polici sekrete e gjithëfuqishme, Securitate.
Danzig, 17. September 1980 - 17 shtator 1980 - themelimi i sindikatës së pavarur polake Solidarnosc
Polonia është vendi i parë në bllokun lindor komunist, që lejoi krijimin e sindikatave të lira të punonjësve. Themelimi i sindikatës Solidarnos erdhi pas një vale grevash në të gjithë vendin, që arriti kulmin në kantierin detar Gdansk. Kërkesat e punëtorëve ndaj qeverisë në Varshavë: liria e fjalës, e drejtën për grevë dhe e drejtën për të formuar sindikata lira. Udhëheqësi i grevistëve, Lech Valesa, nënshkroi më 31 gusht 1980 një marrëveshje me qeverinë. Mbështetje grevistët morën nga bashkatdhetari i tyre, Papa Gjon Pali II dhe Kisha Katolike në Poloni. Në dhjetor të vitit 1981, qeveria polake e Wojciech Jaruzelski, shpalli ligjin e luftës. Sindikata e cila numëronte rreth 10 milionë anëtarë dhe u ndalua. Duhet të kalonin tetë vjet deri sa Valesa dhe Solidarnos mundën të fitojnë betejën me autoritetet komuniste.
27 qershor 1989 - Prerja e telit me gjemba në kufirin hungarezo- austriak
Ky veprim simbolik i ministrave të Jashtëm të të dy vendeve, Gyula Horn dhe Alois Mock - sepse heqja e objekteve kufitare midis Hungarisë dhe Austrisë kishte filluar që më parë para - konsiderohet si shpërthimi i parë i madh në Perden e Hekurt. Mijëra turistë gjermanolindorë e shfrytëzuan këtë mundësi dhe ikën në Perëndim
Sofie, 10 nëntor 1989 - grusht i brendshëm shteti në Bullgari
Todor Zhivkov rrëzohet pas 35 vitesh në krye të Bullgarisë me një grusht të brendshëm shteti brenda Partisë së tij Komuniste. Ai është "dinosauri" i parafundit i epokës komuniste. Diktatori i fundit, rumuni Nicolae Ceausescu, qëndroi deri në fund të vitit në pushtet.
Bukuresht, 22 dhjetor 1989 - përmbysja e Nikolae Çausheskut
Nikolae Çaushesku që refuzonte çdo reforme të shefit të ri të Kremlinit Mihail Gorbachev rrëzohet nga pushteti, pasi kishte shtypur më parë protestat në Timishoara. Ai dhe e shoqja, Elena, përpiqen të arratisen por u arrestuan më 23 dhjetor. Më 25 dhjetor ata u dënuan nga një gjykatë ushtarake me vdekje dhe u ekzekutuan.
Rrugë të ndryshme, e njëjta dëshirë për liri
Në retropesktivë mund të thuhet se njerëzit në vendet e bllokut lindor gjetën mënyra të ndryshme për të hequr qafe sundimtarët e tyre komunistë. Në disa vende - si Polonia, Hungaria apo Çekosllovakia - qe i mundur një lehtësim gradual i despotizmit dhe kishte shpresa për një ndryshim. Në vende të tjera, si Bullgaria dhe Rumania, njerëzit për një kohë të gjatë dukej se nuk kishin asnjë alternativë ndaj diktaturës ekzistuese.
Dhe megjithatë, arsyet pse sistemi u shemb përfundimisht të gjithë bllokun lindor, ishin të njëjta. Nga njëra anë ishte dëshira e njerëzve për liri dhe demokraci, nga ana tjetër, kolapsi ekonomiko-politik i qeverive. Dhe zhvillimet në shtetet pasuese të ish-Bashkimin Sovjetik, tregojnë se ky proces ende nuk ka marrë fund.