Rënie rekord e konsumit në Gjermani
28 Shtator 2022Atmosfera e konsumit të përgjithshëm Gjermani është keqësuar. "Shumë ekonomi shtëpiake janë momentalisht të detyruara të shpenzojnë dukshëm më shumë para për energjinë, apo ndryshe të lenë para mënjanë për fatura ndjeshëm më të larta të kostos së ngrohjes", është shprehur Ralf Bürkl nga instituti i studimit të tregut, GfK në Nuremberg. "Kjo do të thotë që ata kursejnë tek shpenzime të tjera". Klima e konsumit në Gjermani ka rënë në një rekord të ri, ka thënë Bürkl. Indeksi i GfK për tetorin ra në minus 42,5 pikë.
Jörg Zeuner, kryeekonomist i Union Investment sipas agjencisë gjermane të lajmeve, dpa është shprehur, se "arsye për këtë është se nuk ka shenja për fundin e luftës në Ukrainë. Që do të thotë, se çmimet e energjisë në Europë edhe më tej do të mbeten të larta dhe inflacioni nuk ka për të rënë kaq shpejt. Këtë e ndjejnë konsumatorët dhe kufizojnë shpenzimet. Pasiguria është e madhe në lidhje me kohëzgjatjen e krizës energjitike dhe sa e shtrenjtë do të jetë në fund fatura. Si gjithmonë në situata të pasigurta, konsumatorët kanë refleksin e kursimit."
Ndërkohë nuk ka shenja të dobësimit të inflacionit, klima e konsumit pritet të mbetet po ashtu e rënduar. "Rënia e shpenzimeve reale për konsum do të forcojnë tendencat e recesionit në ekonominë gjermane", shpjegon GfK. Sipas Zeuner, ekonomistët presin një rënie të vëllimit ekonomik të Gjermanisë me rreth 2% deri në pranverën e vitit 2023, si pasojë e rënies së konsumit. Kurse Alexander Krüger nga Hauck Aufhäuser Lampe Privatbank, thotë se një vështrim në kuletë e ka rritur dëshpërimin e konsumatorëve. "Çmimet e larta të energjisë dhe artikujve të përditshëm do të ushqejnë edhe më tej pesimizmin." Problematike, sipas Krüger, është se nuk shihet ende dritë në fund të tunelit.
la/ag